Vllaznia e basketbollit të meshkujve ka marrë një tjetër fitore në kampionat dhe forcon edhe më shumë pozitat e saj në katërshen e parë. Mbrëmjen e sotme ajo ka fituar me rezultatin 74-67 ndaj Kamzës, në ndeshjen e luajtur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”.
Ndeshja ka nisur me një barazpeshë të plotë dhe kjo duket qartë tek rezultati i periodës së parë që u mbyll në shifrat 18-18, ndërsa në të dytën Vllaznia do ta fitonte 21-20 dhe në këtë mënyrë do të shkonte në pushim me një avantazh prej vetëm një pike.
Megjithatë gjërat do të ndryshonin në dy periodat e fundit ku ekipi shkodran erdhi duke e rritur lojën e tij dhe bashkë me të edhe avantazhin. Aq sa në fund të ndeshjes do të fitonte me rezultatin 74-67. Një fitore me vlerë për kuqeblutë të cilët forcojnë pozitat e tyre në katërshen e parë të renditjes.
Ato ndodhen në renditje pas Besëlidhjes, Tiranës dhe Apolonisë dhe gara do të jetë pikërisht me to. Megjithatë asgjë nuk ka përfunduar sa i takon katërshes së play-off dhe si rrjedhojë nuk përjashtohet mundësia që tek Vllaznia të ketë të tjera përforcime në këtë periudhë të ndërprerjes së kampionatit.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


