Sulmuesi malazez Xhorxhe Cetkoviç është larguar pasditen e sotme nga kampingu i Vllaznisë në Ulqin. Ai nuk ka arritur të gjejë akordin me drejtuesit e saj për të firmosur një kontratë me ta. Cetkoviç kishte tre ditë që ishte në stërvitje dhe sot ka dashur përgjigjen përfundimtare. Ai ua ka bërë të qartë drejtuesve kuqeblu kërkesat financiare ndërsa këta të fundit nuk kanë qenë kundër vlerave të këtij lojtari por mesa duket nuk ishte në qind përqindshin e formës së tij fizike dhe kanë menduar se nuk ia vlente që të paguanin aq sa ai kërkonte. Në kushte të tilla, palët kanë rënë dakord që të mos negociojnë më. Drejtuesit e Vllaznisë e kanë lënë atë të largohet dhe nga sa merret vesh Cetkoviç është nisur drejt Rumanisë për të firmosur me një skuadër të këtij vendi. Ai kishte një karrierë shumë të pasur teksa kishte luajtur edhe në Bundesligën gjermane me ekipin e Hansa Rostok megjithatë në këto momente nuk ka arritur të gjejë akordin me drejtuesit kuqeblu.
www.shkodrasport.com