Idriz Batha është prezantuar ditën e djeshme si futbollisti më i ri i ekipit rumun, UTA Arad. Ndërkohë, mesfushori në konferencë për ahtyp ka thënë edhe fjalët e para si futbollist i Arad. Batha thekson se në Shqipëri e përcaktojnë si një luftëtar në stilin e Naingolan.

“Si fillim faleminderit që më uruat fat. Kam ardhur këtu, për familjen time dhe për të testuar veten. Është dalja ime e parë jashtë pas 10 vitesh lojë në Shqipëri, besoj kam bërë mirë atje, por doja një eksperiencë të re.

Kam biseduar pak me disa futbollistë shqiptare, me Simon Rrumbullakun, që ishte këtu vitin e kaluar dhe Filin, një tjetër lojtar shqiptar që luan në kampionatin rumun te Botoshani. Ata më thanë gjëra të bukura për futbollin rumun, në lidhje me tifozët e UTA-s, për mua është super.

Të jem i sinqertë, pashë ditët e fundit, disa video për kampionatin tuaj. Mendoj se futbolli rumun është më teknik dhe ai i Shqipërisë është më agresiv dhe më i fortë si futboll. Nga TV krijova këtë përshtypje, nuk e di si do të jetë në fushë.

Unë kam qenë kapiten i ekipeve ku kam luajtur në Shqipëri, tani do të jem një ushtar i thjeshtë në UTA. Do të luftoj për të ndihmuar ekipin tim, do të jem në shërbim të ekipit, do të luftoj me kolegët për të arritur qëllimet tona.

Në Shqipëri thonë që unë jam një luftëtar si belgu Naingolan.

Në Shqipëri shënova shumë gola, dhe nuk jam shumë difensiv si lojtar. Sulejman Demollari është shoku i babait tim.

Unë pashë stadiumin, fushën, gjithçka është shumë e bukur. Mezi pres të luaj me tifozët në tribuna”, u shpreh Batha. /VipSport.al/