Edi Martini ka folur pas arritjes së madhe teksa fitoi trofeun e Kupës së Shqipërisë. Pasi mposhti Tiranën me rezultatin 2-0, festa ishte e ligjshme për durrsakët. Trajneri i “Djemve të Detit” deklaroi për mikrofonin e Supersport:

“Faleminderit për komplimentat. Kjo është pjesë e mundimeve që kemi hequr këto kohë. Djemtë kanë bërë sakrificë të jashtëzakonshme. Na e shpërbleu Zoti dhe gjithë qytetit të Durrësit.

Unë jam gjithmonë kërkues. Megjithatë sot ishte një ndeshje që duhet t’i japësh zemrën gjithë atyre çunave të rinj. Them e merituam plotësisht.

Besoja te fitorja? Të them të drejtën kisha frikë. Një nga arsyet që kisha frikë ishte Egbo. I lutesha Zotit mos e dëgjo Egbon. Kisha frikë, por kisha edhe besim te çunat. Në momentin që isha pesimist çunat më jepnin kurajo. U bëmë një ansambël që ndihmuam njëri-tjetrin.

Unë e kam thënë më parë, erdha te Durrësi në mes të kampionatit. I njihja lojtarët dhe karakterin e tyre shumë pak. Një pjesë e vogël e fazës së dytë s’e njihnim mirë njëri-tjetrin. Në kohën e pandemisë arritëm te bashkëpunimi. Që atëherë unë kam pasur besim. Dhe kështu përfundoi.

Titulli kampion? Sherif Kallaku është larguar. Varet si do organizohet skuadra. Ikja e tij na lë shumë boshllëk. Duhet t’i afrohemi blerjeve cilësore si Tirana apo Kukësi. Duhen 5 blerje të mira. Këtë trofe ia dedikoj familjes sime sepse i kam futur në stres. Së dyti tifozëve dhe sigurisht edhe lojtarëve që kanë bërë një punë të mrekullueshme.

Vllaznia? M’u bë qejfi sot. I uroj shumë suksese Vllaznisë në të ardhmen”, përfundoi ai./newsport/