E ka ndjekur Vllazninë edhe në Elbasan ditën e dielë për ta parë në ndeshjen ndaj Partizanit, por duhet thënë se nuk ka mbetur shumë i kënaqur nga ajo që ka parë në fushën e lojës.
E kemi fjalën për këngëtarin e mirënjohur, Mjeshtrin e Madh Bujar Qamili, njëkohësisht edhe njeriu që i ka kushtuar tre këngë Vllaznisë në periudha të ndryshme, pikërisht në vitet 1998, 2001 dhe 2021.
Duke folur në lidhje me këtë takim, ai do të shprehej: “Të them të drejtën u mërzita me lojën që Vllaznia zhvilloi në pjesën e dytë. Qëndroi mbi 45 minuta vetëm në mbrojtje, pa marrë asnjëherë guximin të ndërtonte një aksion dhe duke luajtur në këtë mënyrë sigurisht që vjen një moment që edhe do ta pësosh.
Ishte një mëkat që Vllaznia t’i linte dy pikë në këtë ndeshje. Ta fillosh lojën me gol, të kesh sërish mundësi të tjera shënimi dhe në fund ta pësosh, është diçka që nuk shkon.
Keshtu na ndodhi edhe me Teuten, shenuam te paret, kishim mundesi te shenonin edhe te dytin, por skuadra u terhoq prapa dhe nga kjo e pesoi”.
Ndërkohë i pyetur se si e mendon sfidën e rradhës ndaj Skënderbeut, ai do të shprehej: “Nëse ndeshja do të zgjasë 45 minuta, jua siguroj se Vllaznia fiton në Korçë. Po ashtu të jeni të sigurtë që për 15-20 minutat e para në çdo ndeshje, Vllaznia shënon gol. Ka lojtarë sulmi shumë të mirë, por shoh që kur Latifi e Da Silva humbin energji, skuadra nuk funksionon më.
Nuk e di kur do të bëhen këto lojtarë për t’i nxjerrë 90 minuta të plota sepse janë lojtarë me shumë vlerë dhe që ta bëjnë golin kurdo, por ata duhet të rriten fizikisht dhe nëse kjo ndodh, Vllaznia do të jetë pretendentja kryesore për fitimin e titullit kampion sivjet”./SHKODRA-SPORT.COM/