Pasditën e djeshme, Pogradeci, që siç dihet këtë sezon po drejtohet nga trajneri shkodran Samuel Nikaj, ka vijuar me fitore në kampionatin e Kategorisë së Dytë. Liqenorët kanë zhvilluar një lojë shumë të mirë dhe jo më kot, kanë fituar me rezultatin e thellë 7-0 përballë Albpetrolit.

Ekipi i trajnerit shkodran shënoi katër gola në pjesën e parë dhe tre të tjerë në pjesën e dytë, duke bërë që e gjithë ndeshja të mbyllet me rezultatin e thellë 7-0 në favor të tyre. Kështu, Pogradeci e ritregon edhe njëherë tjetër se do të jetë deri në fund të garës pretendente për ngjitjen në Kategorinë e Parë për sezonin që vjen.

Ky do të ishte ekipi i katërt me të njëjtin sukses nën drejtimin e Samuel Nikajt pas Flamurtarit të Prishtinës, Kastriotit të Krujës dhe Vushtrisë. Në fakt, mënyra se si është ndërtuar Pogradeci i këtij sezoni tregon se objektivat janë shumë serioze deri në fundin e kampionatit dhe ngjitja një kategori më lart është detyrë për futbollistët që e përbejnë këtë skuadër, si edhe për trajnerin Samuel Nikaj.

Ndërkohë pas kësaj kësaj fitoreje, Pogradeci renditet në vendin e dytë në tabelën e klasifikimit në kuotën e 46-pikëve, dy pikë larg Elbasanit kryesues. Kujtojmë këtu se, këto dy ekipe janë të vetmet pa asnjë humbje në ndeshjet e tyre në kampionatin e Kategorisë së Dytë.
Maringlen ZHIVANI