Njëzet minuta ndaj Empolit që për pak sa nuk sollën një tjetër gol janë më e pakta që Brahim Diaz kërkon në këto ditë prilli. Ai është një nga “aset” e Piolit për ndeshjen e Champions-it dhe ndihet gati për përgjegjësi.Fundja presionin e ka kërkuar gjithmonë në klube si Siti, Reali dhe Milani. Djaloshi nga Malaga ka dhënë një intervistë ku i shpjegon në detaje të gjitha pikëpamjet e tij.

Si është të luash në Champions?

Që kur isha i vogël i shikoja ndeshjet mes klubeve të mëdha europiane si diçka magjepsëse. E kur ndjesi të tilla janë si tifoz, mund të imagjinoni se çfarë përjetohet kur i luan si protagonist. Për më tepër, kur dëgjon uturimën e tifozëve që këndojnë himnin e Champions-it brenda një stadiumi madhështor si “San Siro” gjithçka bëhet më fantastike.

Si ka qenë përvoja juaj në Milano?

Pa dyshim që ky klub më ka përmirësuar në të gjitha karakteristikat e mia. Jam rritur shumë si lojtar te Milani, por dua të vazhdoj të zhvillohem.

Ju kujtohet Malaga – Milan (1-0) e një dekade më parë?

E kujtoj dhe fare mirë madje. Të gjithë në qytet thoshin: “Do të luajmë me Milanin. Sa bukur”. Në qytet bëhej festë, sepse po vinte një klub prestigjioz.

Ndërkohë jeni me Milanin mes tetë më të mirëve në Europë. Si ju bën të ndiheni ky fakt?

Kur luajtëm në “San Siro” me Totenhemin e pashë që njerëzit besonin se mund të kalonim turin. Në fushë nuk jemi vetëm, por zbresim si familje, e cila përbëhet nga tifozët dhe skuadra.

E konsideroni veten një lojtar Champions-i?

Normal që po, përderisa luaj për Milanin. Të gjithë në skuadër jemi lojtarë Champions-i e kjo është arsyeja përse jemi mes tetë më të mirave në Europë. Më e bukura është sepse përveç nesh janë edhe dy ekipe të tjera italiane. Kjo tregon që lëvizja futbollistike në Itali është më e fortë.

Jeni gati për Napolin?

Atmosfera është e jashtëzakonshme. Jemi gati dhe e kemi merituar të mbërrijmë deri këtu. Vjet fituam titullin e tani jemi në çerekfinalet e Champions-it, por nuk jemi të kënaqur. Duam të shkojmë sa më larg.

Cili është goli më i bukur që keni shënuar si kuqezi?

Kam shënuar shumë të rëndësishëm, por ai që kujtoj me më shumë kënaqësi është ai kundër Juves. Sidoqoftë, le të shënojë kush të dojë. Për mua ka rëndësi që Milani të dalë me fitore nga fusha.

Duke filluar që ndaj Napolit?

Kanë një ekip të fortë dhe këtë po e tregojnë në Itali dhe në Europë. Teknikisht janë të fortë, por edhe ne nuk është se vlejmë më pak. Fakti që e njohim njëri-tjetrin është i rëndësishëm dhe mendoj se ka për të qenë një ndeshje e ekuilibruar. Një cilësi për t’i vënë ata në telashe? Ka shumë. Njëra është të kenë kontrollin e topit gjatë ndeshjes sepse nuk janë mësuar me të.

Mendoni se është penalizues fakti që nuk ekziston më rregulli i golit në transfertë?

Mendoj se është më mirë kështu sepse duhet të luash më i vëmendshëm dhe më i fokusuar. Megjithatë, ndeshjet janë të ngjashme, gjithmonë duhet të japësh 100 për qind nëse kërkon të arrish rezultat.

Mund të bëni ndonjë premtim për në rast se fitoni Champions-in?

Nuk e di, duhet të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje. Pas një muaji mund të them nëse do të bëj diçka (buzëqesh).

Sa rëndësi do të kenë tifozët?

Janë një motiv më shumë. Siç them gjithmonë, janë lojtari i dymbëdhjetë. Është mirë që na ndihmojnë dhe na qëndrojnë pranë gjatë çdo ndeshjeje. Gjatë gjithë kohës prej tifozëve kam atë ndjesinë që duhet të zgjohem, e cila më fokuson dhe motivon. Do të doja të luaja gjithmonë në “San Siro” para tifozëve tanë, por nuk është e mundur.