Kishte shumë dyshime rreth Vincent Kompany kur ai u emërua trajner i Bayern Munich pas rënies së Burnley nga kategoria. Megjithatë, ai e kaloi me sukses sezonin e tij të parë në Allianz Arena, duke fituar titullin e Bundesligës. Por, pas një fillimi fenomenal të sezonit aktual, kjo skuadër po i frikëson përsëri kundërshtarët.
Me fitoren e tyre kundër Borussia Monchengladbach në ndeshjen e fundit të Bundesligës, Bayern Munich barazoi rekordin perfekt prej 13 fitoresh të arritura nga Milani i Capellos në sezonin 1992/93.
Por, pasi mposhtën Kolnin të mërkurën për të avancuar në raundin tjetër të DFB POKAL, ata u bënë skuadra me nisjen më të mirë të një sezoni në historinë e pesë ligave më të mira të Evropës.
Ata duhej të vuanin. Të paktën derisa Luis Diaz barazoi golin e parë të Ragnar Ache, përpara se Kane të siguronte një tjetër dygolësh dhe Michael Olise të vuloste fitoren e 14-të të Bayernit këtë sezon.
“Thyerja e një rekordi evropian është e veçantë. Por tani ka mbaruar. Nesër do të rikuperohemi dhe do të përgatitemi për tjetrin”, ka thënë Kompany.
E vërteta është se të tre lojtarët po formojnë treshen sulmuese më vdekjeprurëse në të gjithë Evropën, duke shënuar 37 nga 51 golat e Bayernit (72.5%) në këto 14 ndeshjet e para.
30 nga këto gola kanë ardhur në Bundesligë, duke i vendosur ata me një diferencë të konsiderueshme, si ekipin me më shumë gola në pesë ligat kryesore evropiane.
Në disa mënyra, ata po fillojnë të ngjajnë me treshen e mëparshme të krijuar nga Arjen Robben, Robert Lewandowski dhe Frank Ribery.
“Frank dhe Arjen formuan një partneritet shumë të veçantë, por Michael dhe Luis gjithashtu kanë potencial shumë të lartë . Ata e duan të luajnë së bashku dhe, sipas mendimit tim, janë dy anësorë të shkëlqyer. Ata kanë potencialin për të krijuar një epokë këtu”, ka thënë drejtori sportiv i Bayernit, Christoph Freund për Marca.
Bayerni është rikthyer në stilin e tij të vjetër dhe ‘Allianz Arena’ ndihet vërtet e përfaqësuar nga performanca e ekipit. Por, ndërsa kjo seri fitoresh nuk ka gjasa të jetë e qëndrueshme, ndjenja është se potenciali i Bayernit është ende larg të qenit i realizuar plotësisht.
Sidomos duke pasur parasysh që Alphonso Davies dhe Jamal Musiala mbeten të lënduar, Konrad Laimer është ende vetëm një zëvendësues në pozicionin e mbrojtësit të djathtë dhe ende nuk ka një partner të qartë për Joshua Kimmich në mesfushë.
Tashmë favoritë për të ruajtur titullin e Bundesligës, ky fillim sezoni i ka vendosur përsëri ata midis pretendentëve kryesorë për të ngritur trofeun e Ligës së Kampionëve që nuk e kanë bërë që nga viti 2020.
Megjithatë, Kompany i përmbahet filozofisë ‘ndeshje pas ndeshje’ dhe ky rekord është tashmë një gjë e së kaluarës.
“Është mirë, por nuk ndryshon asgjë. Jemi ende të uritur. Tani kemi Leverkusenin dhe PSG-në. Kjo është ajo që ka rëndësi”, shtoi trajneri belg.
Kjo javë do të jetë një shans për të vlerësuar guximin e kësaj skuadre të fuqishme të Bayern Munich dhe për ta ngritur ndoshta serinë (14-0-0). /Telegrafi/







