Ish- futbollisti i Vllaznisë, por edhe i disa skuadrave të tjera shqiptare- Skerdi Bejzade, ndonëse prej vitesh jeton në Gjermani ku dhe vazhdon të merret sërish me futboll, këtë herë si trajner, është shumë i vëmendshëm edhe për atë se çfarë ndodh në futbollin shqiptar.
Përmes një komunikimi me të, “Shkodra Sport” ka dashur të mësojë më shumë në lidhje me trajnerin Brdariç dhe nëse do ta ketë të vështirë ketë sukses tek Vllaznia.
“E njoh vetëm kështu si lojtar dhe për karrierën që ka patur, por nuk e njoh nga afër. Kam takuar disa lojtarë që Brdariç i ka stërvitur këtu në Gjermani dhe më kanë thënë se është trajneri i mirë. Megjithatë varet se si i shkon atje. Jam shumë i bindur se Vllaznisë i duhej një trajner si ky”- është shprehur fillimisht Bejzade.
I pyetur ndërkohë nëse Brdariç do ta ketë të vështirë të përshtatet me futbollin shqiptar, ish- sulmuesi i Vllaznisë ka dyshime për këtë dhe prandaj përgjigjet kështu në prononcimin për “Shkodra Sport”:
“Mendoj se do ta ketë pak të vështirë të ambjentohet me skuadrën, por më së shumti me arbitrimin atje. Ka shumë faktorë që ndikojnë dhe ti e humb ndeshjen dhe sidomos ato jashtë Shkodre. Brdariç ende nuk e di se çfarë bëhet në Shqipëri me arbitrimin, kujton se është në Gjermani”.
Bejzades i kërkuam edhe një mendim për Vllazninë në tërësi si i sheh ai ndryshimet e ndodhura tek ajo në këtë sezon dhe ai përgjigjet në këtë mënyrë:
“Unë shoh që është në rrugë të drejtë në shumë gjëra dhe shpresoj të vazhdojnë kështu e të stabilizohen për vitet në vazhdim”./SHKODRA-SPORT.COM/