Shqipëria ka luajtur sot ndeshjen e parë miqësore për muajin qershor. Kuqezinjtë kanë dalë të pamposhtur nga Uellsi, ku kanë barazuar në shifrat 0-0. Ky test miqësor përfundon me përshtypjet më të mira për mbrojtjen, e cila tregon lartësinë e duhur përgjatë 90 minutave dhe nuk i jep aspak mundësi kundërshtarëve të kërcënojnë portën.

Në përfundim të takimit, ka folur për “Supersport” edhe sulmuesi shkodran Bekim Balaj i cili luajti si titullar ne kete ndeshje.

“Në pjesë të parë bëmë presing lart dhe ishim më afër portës kundërshtare. Edhe rastet i kishim në pjesë të parë. Në pjesë të dytë ndryshuam pak taktikë në varësi të kundërshtarit, zëvendësimeve që ata bënë. Na vunë në vështirësi dhe u detyruam të mbronim me më shumë forca. Dhe ishte e vështirë pastaj të dilnim në portën e kundërshtarit.

Mund të them që punuam shumë, kështu që shpenzuam shumë energji. Të tregohej Bare më altruist? Është moment i ndeshjes. Gjithsecili mundohet të bëjë zgjedhjen më të mirë dhe në atë moment Bare mendoi ashtu.

Mund të them që punuam shumë si ekip. Mbrojtëm të gjithë mirë si ekip. Po të shënonim do merrte rrjedhë tjetër. Me kundërshtar të nivelit të tillë nuk është e lehtë të dalësh shumë herë përpara portës“.