Shpresat për një riveshje të Bekim Balajt sërish me fanellën kuqeblu në merkaton e janarit janë shuar plotësisht. Pas deklaratës së drejtorit sportiv të Shturm Graz, pjesë e të cilit është sulmuesi shkodran, ka ardhur edhe një tjetër deklaratë që ka sfumuar këtë pistë të merkatos së kuqebluve.
Ka qenë drejtori sportiv i Vllaznisë Matko Djarmati, ai që gjatë konferencës së sotme për shtyp, ka folur edhe në lidhje me këtë çështje teksa para gazetarëve është shprehur:
“Balaj? Sponsori Xhaferi duke patur shoqëri me të, si shkodrani me shkodranin, kanë biseduar për këtë çështje. Por, unë realisht mendoj se Vllaznia nuk ka mundësi ta sjellë në Shkodër këtë lojtar”.
Për sulmuesin e kombëtares tonë që luan në Austri, kuptohet që ndërprerja e kontratës dhe ardhja e tij në Shkodër që në fillim është konsideruar diçka e pamundur, megjithatë drejtuesit e Vllaznisë kanë tentuar, por pa rezultat.
Bashkë me pistën “Balaj”, ka rënë poshtë edhe ajo “Llullaku” dhe kësisoj njerëzit që merren me merkaton e skuadrës shkodrane tashmë po shohin ndonjë pistë tjetër të mundshme si përforcim për repartin e sulmit të tyre./SHKODRA-SPORT.COM/