Vllaznia do të luajë sot ndeshjen e rradhës për kampionat, ndaj Kukësit në stadiumin “Loro Boriçi” dhe kuptohet që nuk ka më vend për të gabuar. Edhe me një fitore të mundshme, ajo nuk ka siguruar asgjë në kampionat, por i duhet të vazhdojë të luftojë fort deri në fund për të arritur objektivin e saj.

Amarildo Belisha, ish- futbollist i kuqebluve, në një prononcim ekskluziv për “Shkodra Sport” është shprehur se tashmë futbollistët thjesht duhen mbajtur në tonus dhe të karikohen në maksimum për të dhënë më të mirën e tyre.

“Unë mendoj se tashmë që po i drejtohemi fundit të kampionatit, nuk ka mbetur të bëjmë shumë gjëra tek ky ekip. Thjesht duhet t’i mbajmë në tonus djemtë dhe t’u kujtojmë se nuk ka mbaruar asgjë. Europën ata mund ta kapin si nga kampionati ashtu edhe nga Kupa, por tashmë gjërat janë vështirësuar shumë dhe duhet të jenë sa më të kujdesshëm. Duhet të bëjnë mirë në çdo ndeshje që ka mbetur dhe nëse ndodh kjo, jam i sigurtë se do t’i arrijnë objektivat”- është shprehur ish- mesfushori kuqeblu.

I pyetur ndërkohë për rrokadën e trajnerëve Brdariç- Plori se çfarë ndikimi ka patur ajo tek skuadra, Belisha është përgjigjur: “Për rrokadën e trajnerëve Brdariç- Plori nuk mund të shprehem sepse është stafi drejtues që merr vendimet, duke parë natyrisht edhe situatën që është brenda skuadrës, por unë mendoj se brenda saj nuk kanë ndryshuar shumë gjëra me largimin e Brdariç dhe ardhjen e Plorit. Me përjashtim të kualifikimit në kupë, lojërat e ekipit nuk kanë patur ndonjë ndryshim dhe kjo tregon se rrokada në pankinë nuki ka sjellë ndonjë efekt”.

Po, a ka ndonë këshillë Amarildo Belisha për drejtuesit e Vllaznisë, për mënyrën si duhet ndërtuar skuadra e sezonit të ardhshëm? Përgjigja e tij

“Sa i takon Vllaznisë së sezonit të ri, shpresoj që të bëhet një menaxhim më i mirë sepse po ta vini re menaxhimin e këtij viti, u bënë shumë blerje dhe nuk u mendua shumë për strategjinë dhe perspektivën. Nuk u mendua fare për elementët e rinj të cilët nuk janë aktivizuar thuajse fare këtë vit.

Prandaj në këtë drejtim, strategjia ka dështuar me shumë blerje dhe pak aktivizim të lojtarëve vendas. Sezonin e ardhshëm ky raport duhet të ndryshojë dhe t’i jepet prioritet elementit vendas sepse janë ato që do ta mbajnë peshën në vite tek Vllaznia. Kjo pasi lojtërat që blihen janë maksimumi një apo dy vite në Shkodër dhe kaq”.
Maringlen ZHIVANI