Ne historine e basketbollit shkodran ka patur shume sportiste te cilet kane lene gjurme me lojen dhe talentin e tyre por sot do te ndalemi tek njeri prej tyre, Refil Vorfa. Kjo sepse pikerisht sot, ai ka ditelindjen. Feston 71 vjetorin e lindjes dhe me kete rast edhe gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite te tjera te lumtura!

Ka lindur në Shkodër më 2.2.1952 dhe pasioni për sportin e shoqëron që në moshë të vogël por pa një rregullsi në stërvitje. Fitorja e Kupës së Republikës nga ekipi I Vllaznisë në vitin 1967, do të ishte shtysa përfundimtare që Refiku ta merrte seriozisht këtë sport nga I cili nuk do të ndahej për vite e vite me rradhë.

Meritë për këtë ka ish- mësuesi I tij I kimisë në shkollë, Asllan Gjyrezi, një basketbollist I njohur I asaj kohe I kuqebluve. Ai i dha shtysën e madhe dhe këtë vit do të inkuadrohej tek ekipi I të rinjve të Vllaznisë me trajner Bujar Golemin.

Suksesi që ekipi I Vllaznisë arriti në vitin 1967 duke fituar Kupën e Republikës, e bindë atë plotësisht për t’u marrë me këtë sport. Me ekipin e të rinjve do të luante përkrah emrave të tillë si Rajmond Rasha, Zenel Vekshari etj.


Kalimi tek ekipi I të rriturve të Vllaznisë

Në vitin 1969, drejtimin e ekipit të Vllaznisë e mori Bujar Golemi, trajneri me të cilin kishte punuar me ekipin e të rinjve dhe e njihte mirë. Ai, ndonëse Refiku ishte 17 vjeç, e kaloi tek ekipi I parë ku gjeti emra të rëndësishëm si Renato Radoja, Filip Guraziu, Petrit Osmani, Angjelin Shiroka etj dhe kuptohet që ky ishte një privilegj I madh për të sepse ishte një kënaqësi e madhe që të luante përkrah emrave të tillë.

Ka ndodhur përpara finaleve të Spartakiadës së tretë kombëtare që u zhvilluan atë vit dhe Refiku ishte pjesë e ekipit të Vllaznisë. Kuptohet duke përjetuar momente shumë të lumtura sepse u bë realitet një nga ëndërrat e mëdha të tij. Ky ishte vetëm fillimi sepse karriera e tij do ishte e gjatë dhe do kishte brenda shumë gjëra.

Lënia e sportit

E ka lënë sportin pas 17 vitesh me ekipin e parë por me një “brengë” të vogël. Filluan të mos ia kenë më nevojën dhe nganjëherë edhe ta linin në stol por Refiku nuk mund ta duronte këtë gjë. Prandaj dhe vendosi që të ndalet, por në fakt duke marrë edhe ndonjë pasojë mbrapa.

Ja si e shpjegon ai vendimin e tij për mbylljen e karrierës: “Sportin e kam lënë në vitin 1986. Në atë periudhë trajner ishte Petrit Osmani. E mbaj mend si sot, ndonëse ka ndodhur 30 vjet më parë. Ka qenë shkurti I atij viti dhe ndonëse ishte vazhdimi I kampionatit, unë vendosa të mos e çoj deri në fund. E kuptova se nuk ishte më e nevojshme prania ime në skuadër.

Prandaj dhe vendosa t’I them “stop” karrierës time se më mirë ishte kështu sesa të fillonin polemikat apo diçka e tillë. Në atë periudhë, pjesë e ekipit ishin emra të tillë si Sokol Kalaj, Mikel Gjoni, Korab Llazani, Avenir Kalaja, Hydajet Kotrri, Agustin Miculi etj”.

Mungesa e titujve kampionë

Refik Vorfa nuk e ka fituar asnjëherë titullin kampion. Shansi I keq, momenti I keq apo dhe arsye të tjera por kështu ka ndodhur. Vorfa në karrierë ka arritur të bëjë të vetin vetëm trofeun e Kupës së Republikës në dy raste si dhe disa trofe personalë. Ka marrë dy kupa si lojtari më I mirë I kampionatit, një me të rinjtë dhe një me të rriturit, në vitin 1971

Kuptohet që karriera e Refik Vorfes ka patur brenda edhe aktivizimin me ekipin kombëtar për një periudhë 10 vjeçare, në vitet 1971- 1981.


Karriera si trajner

Refik Vorfa përveçse si sportist, ka një karrierë edhe si trajner. Menjëherë pas lënies së basketbollit ai caktohet trajner I ekipit të pionerëve dhe ndër sportistët që kanë lënë gjurmë më pas nga ai ekip përmenden Altin Shatku dhe Altomen Çapaliku.

Më vonë ka marrë drejtimin e ekipit të të rinjve të Vllaznisë ndër të cilët do spikaste më vonë Altin Halili. Pas largimit për në Gjermani në vitin 1992 ku ka jetuar për dy vite, ai do ta ndërpriste trajnimin por pas rikthimit në Shqipëri, merret sërish me këtë sport. “Në vitin 1995 vendosëm të krijojmë ekipin Shkodra Basket ku një rol shumë të madh në drejtimin e tij luajtën Shpëtim Hoxha, Gëzim Galiqi dhe Korab Llazani.

Madje ky i fundit ka qene trajner per disa vite dhe me pas, ia kaloi stafeten Vorfes. Me këtë ekip arritën të shpallen edhe kampionë të Shqipërisë me të rinjtë madje në vitin 2007 krijuam edhe ekipin e të rriturve dhe ndër 12 ekipet pjesmarrëse në kampionat, zunë vendin e shtatë.

Refik Vorfes edhe vitet e fundit iu besua serish detyra e trajnerit te ekipit te pare te Vllaznise per meshkuj por vetem per pak kohe sepse u largua per probleme te ndryshme.


Nderimet

Karriera e suksesshme sportive natyrisht që eshte shoqëruar edhe me nderimet përkatëse. Refik Vorfa ka marrë herët titullin “Mjeshtër Sporti” ndërsa pas viteve ’90 ka marrë edhe një nderim nga Federata Shqiptare e Basketbollit. Nderkohe me vone eshte nderuar edhe me titullin “Mirenjohja” e Bashkise Shkoder, ndersa ne kuadrin e festimeve te 100 vjetorit te SK Vllaznia u nderua me titullin “Mjeshter i Madh” nga Presidenti i Republikes.
Gjergj KOLA