Vora dhe Vllaznia kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Loro Boriçi”, përfundoi me shifrat 0-0. Pas këtij dueli ka folur edhe trajneri i Vorës, Arjan Bellai.

“Dua të përgëzoj çunat, gjithmonë dua ta nis kështu sepse ata japin gjithçka për këto rezultate. Edhe barazimi në Shkodër është mjaft i mirë, luanim në fushën e Vllaznisë, është pretendente për kampion. Të marrësh 1 pikë në këtë fushë, është diçka e madhe. Ata janë për kampion, ne jemi për të siguruar sa më shpejt kampionatin. Qetësia duhet të jetë para porte. Por çunat duhet të vazhdojnë kështu.

Pjesën e parë e kishim përgatitur për të mos bërë atë presingun, siç e bëmë në pjesën e dytë. Lojën në ajër e kemi shumë të mirë, dua të përgëzoj Shehin. E njohim Balajn që është luftarak dhe nuk humbet në topat në ajër. E ndërtuam pjesën e dytë që të bënim presing. Kasalla e do topin gjithmonë në këmbë, i krijon vetë hapësira, por disa herë duhet të tregohet më shumë egoist sepse kishte mundësi të godiste dhe e dha pas te Daka.

Sa na pengon fakti që s’luajmë në shtëpi? Sidomos ato ndeshjet e para ishin të vështira për ne, që fituam në Laç. Vazhdimësia erdhi vetë, duke thënë që të shkojmë s’ka problem, jemi në Superligë. Shpresoj që të mos ndikojë te fusha jonë, pasi fusha jonë do të jetë gati për 3 javë, do të luajmë aty me Bylisin. Ka dalë ambient dhe fushë e shkëlqyer, gjithçka është… fushë futbolli që na ndihmon shumë, e njohim shumë mirë. Kjo është ajo pyetja që u kam shkruar futbollistëve, të vazhdojmë njësoj edhe në fushën tonë, mos të kemi presion prej tifozëve.

Kemi lënë 2 pikë sot? Sigurisht që ndihem disi ashtu, ato janë analiza që i themi. S’mbaroi kampionati sot dhe sot na munguan 2 pikët. 1 pikë është 1 pikë, rëndësi ka që të marrim… nëse s’fiton, mos të humbasësh. Ne japim shpirtin dhe maksimumin të gjithë, Superliga është ndryshe”, tha Bellai.