Gjimnastika në Shkodër ka edhe ajo historinë dhe traditën e vet, traditë kjo që ka filluar të rikthehet sërish, falë përpjekjeve që po bëhen për ta ringritur në nivele të larta.Në historinë e këtij sporti në SK Vllaznia ka patur sportistë të cilët kanë dhënë një kontribut të madh për të në vite.

Njëri prej tyre është Benjamin Naku i cili ka spikatur në këtë sport në fundin e viteve ’70 dhe gjatë viteve ’80 duke arritur disa rezultate të larta. I datëlindjes 31 janar 1964, ai garat e para me ekipin e Vllaznisë i ka filluar në vitin 1978.

Ndërkohë në vitin 1980 në kampionatin kombëtar për të rinj, ai do të shpallej kampion kombëtar dhe po ashtu edhe fitues i Kupës së Republikës. Vllaznia ndërkohë në atë vit do të renditej në vendin e dytë në klasifikimin ekipor dhe përveç Benjamin Nakut, pjesë e ekipit ishin edhe gjimnastët e tjerë Artur Malile, Leonard Lulaj, Ilir Bilali, Përparim Stefa e Skënder Frexha.

Një vit më vonë, shumica e këtyre sportistëve do të kalonin tek ekipi i të rriturve, duke bërë që edhe rezultatet e tij të vinin në rritje dhe Vllaznia është e dyta në kampionatin kombëtar.

Ka një shkëputje nga Vllaznia për shkak të vazhdimit të studimeve të larta duke e vazhduar sportin dhe duke përfaqësuar ekipin e Partizanit.

Benjamin Naku ka vijuar me rezultate të larta sportive edhe në kampionatet e tjera, ashtu si dhe në Spartakiadën Kombëtare të vitit 1984 dhe 1989. Për të gjitha këto arritje, ai është nderuar pak ditë më parë nga Bashkia Shkodër dhe SK Vllaznia me titullin “Mirënjohje” për këtë kontribut të dhënë në sportin e gjimnastikës.

Në një prononcim për “Shkodra Sport” Naku është shprehur shumë i lumtur për atë çfarë ka dhënë për Vllazninë në ato vite dhe për gjimnastikën shkodrane.

“Veshja e fanellës dhe përfaqësimi i Vllaznisë, për mua ka qenë gjithçka. Që në moshën e vogël jam brumosur me traditën e sportit, me fanellën e Vllaznisë. Pata shansin dhe fatin që ta filloj që në moshë të vogël, që në klasë të pestë sportin e gjimnastikës e kjo
zgjati për shumë vite.

Kanë qenë vite shumë të bukura, kemi bërë maksimumin për të përfaqësuar me dinjitet ngjyrat e ekipit të Vllaznisë, Shkodrën në rang kombëtar dhe ndërkombëtar.Nderimi që na bëri Bashkia Shkodër pak kohë më parë, ka qenë shpërblimi në njëfarë mënyre i gjithë atij mundi dhe djerse që kemi derdhur për vite me rradhë dhe prandaj ndjehemi të lumtur për këtë gjë”- është shprehur ai.

Benjamin Naku sërish është pranë sportit dhe jo vetëm atij të gjimnastikës sepse mban detyrën e përgjegjësit të departamentit të Edukimit Fizik e Sporteve pranë Univervitetit “Luigj Gurakuqi” dhe jo vetëm kaq, por kohët e fundit ka bërë edhe një studim me temë: “Historia e sportit dhe edukimit fizik në Shkodër në vitet 1912-1939”.
Gjergj KOLA