Besëlidhja po vijon me përgatitjet për fazën e dytë të kampionatit dhe ndërkohë këtë periudhë pauze, po e shfrytëzon për zhvillimin e disa ndeshjeve miqësore. Një e tillë është luajtur ditën e djeshme në Kompleksin “Tropikal” të Durrësit dhe përballë saj ka qenë skuadra Liria e Prizrenit.
Rezultati përfundimtar i kësaj ndeshje ka qenë i barabartë 2-2, ku golat për skuadrën lezhjane u shënuan në pjesën e dytë nga i njëjti autor- Oduro në minutat 64 dhe 83 ndërsa për ekipin kosovar u shënuan nga Kurtaj dhe Stafa.
Kjo miqësore i ka shërbyer të dy trajnerëve, Elvis Plori dhe Liridon Leci për të aktivizuar të gjithë lojtarët dhe për t’i testuar ato në prag të startit të ndeshjeve zyrtare.
Ndërkohë, mësohet se Besëlidhja do të zhvillojë nesër një tjetër ndeshje miqësore e cila do të jetë e treta për të në këtë periudhë. Këtë herë përballë do të jetë ekipi Besa i Pejës. Kujtojmë që miqësoren e parë lezhjanët e luajtën me Ilirinë e Fushë Krujës dhe e fitoi 1-0 me golin e shënuar nga Alcani.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”


