Transferimi i Berat Gjimshitit në radhët e Beshiktash duket se është një mundësi reale dhe jo thjesht një thashethem i merkatos. Klubi turk dhe Atalanata kanë nisur negociatat për transferimin e lojtarit, pasi të gjitha palët e përfshira në këtë çështje duket se kanë dhënë pëlqimin e tyre për realizimin e marrëveshjes, thjesht po diskutohen detajet financiare të cilat për momentin mbajnë peng gjithçka.
Mediat turke kanë bërë të ditur se trajneri i Beshiktash, Senjol Gynesh, ka vlerësuar pozitivisht mbrojtësin shqiptar dhe i ka bërë të ditur drejtuesve të klubit se bëhet fjalë për një zgjidhje shumë efikase, pasi është një qendërmbrojtës i cili luan mirë edhe me të majtën. Për këtë arsye, ai që në fillim ishte propozimi i menaxherit të Gjimshitit, është kthyer në bisedë konkrete transferimi.
Beshiktash ka kontaktuar Atalantën, me të cilië lojtari ka një kontratë deri në mbyllje të këtij sezoni. Në fakt, presidenti i klubit i kishte bërë të ditur Gjimshitit se ishte gati t’i rinovonte edhe një vit kontratën por nuk ka asgjë të zezë mbi të bardhë, ndaj lojtari mund të negociojë lirisht me klube të tjera.
Në këtë situatë, Atalanta i ka kërkuar Beshiktash 400 mijë euro për transferimin e futbollistit, por klubi turk kërkon që të ulë këtë shifër, duke paralajmëruar italianët se nëse gjen akordin me lojtarin, mund ta transferojë falas në fund të sezonit.
Në këtë situatë, negociatat mes palëve vazhdojnë dhe sipas shtypit turk nuk është çudi që transferimi të realizohet që javën e ardhshme nëse mes tyre gjendet gjuha e përbashkët. /vipsport/