Pas angazhimit “part- time” me ekipin e të rriturave në sezonin e kaluar, ish- volejbollisti i njohur i Vllaznisë së viteve ’80 Besnik Lisha është angazhuar tashmë plotësisht në volejbollin shkodran teksa ka marrë drejtimin e ekipit të paratëreja të Vllaznisë.

Ai duket se ka lënë përfundimisht Amerikën ku ka jetuar prej vitesh dhe është rikthyer në Shkodër, aty ku i është bashkuar menjëherë volejbollit, sepse siç thotë dhe vetë, është gjeja që di të bëjë më mirë se çdo gjë tjetër.

Lisha ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Show” dhe ka rrëfyer gjithçka mbi këtë përvojë të re që ka nisur, duke shpalosur njëkohësisht edhe planet për të ardhmen.

“Kur kam ardhur herët e tjera në Shqipëri, trajnerë kanë qenë Artan Kalaja, Mark Kroqi etj dhe u kam thanë se meqë e bëni këtë punë, mundohuni ta bëni mirë. Unë personalisht nuk kam qenë gati për të kontribuar por tashmë fëmijët kanë kryer shkollat dhe i kemi kryer të gjitha detyrimet si prindë. Vjet erdhëm dhe qëndruam 5 muaj ndërsa sivjet jemi gjatë gjithë kohës këtu dhe mund të them se jemi kthyer përfundimisht në Shqipëri.

Ne mund të ndryshojmë 100 pasaporta por jemi shqiptarë dhe do të mbetemi të tillë. Më pëlqen Shqipëria, më pëlqen Shkodra dhe do mundohem të kontribuoj për volejbollin, sepse është një gjë që di ta bëj dhe madje ta bëj mirë.

Bashkë me trajnerin tjetër Ferdinand Bardeli drejtojmë dy ekipe moshash të vajzave, fillimisht ato më të voglat dhe pastaj të rejat. Ideja dhe pikësynimi jonë është që këto vajzat t’i përgatisim siç duhet teknikisht në mënyrë që ato kur t’i kalojnë etapat e tyre, të jenë të plotësuara me të gjithë elementët e duhur kur të jenë pjesë e ekipit të të rriturave.

Kjo sepse me trajnerin Mark Kroqi jemi kthyer shumë prapa në kohë për t’u mësuar vajzave disa elementë që ata duhej t’i kishim mësuar me ekipet e moshave. ëndrrat tona janë që këto vajza të mos bien në sy vetëm në Shqipëri, por të luajmë me sukses edhe në volejbollin europian e atë botëror.

Unë dua të besoj se rraca veriore është shumë më e favorizuar për t’u marrë me sport. Jemi më të mëdhenj, më të gjatë, e duam sportin më shumë se të tjerët dhe prandaj me këto elementë, duhet të spikasim mbi të tjerët. Besoj se me gjithë këta njerëz që jemi angazhuar tek volejbolli, jam i bindur se do ia dalim të realizojmë me sukses atë çfarë ne synojmë”- ka deklaruar Lisha.
© shkodrasport.com