Gledi Mici është lojtari i ri i Tiranës në krahun e majtë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi i majtë foli për zgjedhjen që bëri duke u veshur bardheblu, mendimin për Shehin dhe si e sheh Europën dhe titullin kampion. Mes Tiranës dhe futbollistit u ra dakord për pak orë dhe skuadra nënkampione bëri prezantimin si lojtarin më të ri në skuadër.
Ka qenë Shehi që ka ndërhyrë për këtë çështje, duke afruar mbrojtësin, pasi skuadrës i duhej një i majtë në mbrojtje. Për më tepër që Mici kishte ndarë rrugën me skuadrën kosovare, Prishtinën. Mbrojtësi i majtë kishte tri vite që ishte pjesë e skuadrës më të trofeshme në futbollin kosovar. Fieraku sezonin e fundit ka mbajtur shiritin e kapitenit te Prishtina. Ai vendosi shpejt për skuadrën e re, që do të jetë Tirana.
Gledi Mici, një aventurë e re te Tirana, në një skuadër tjetër të madhe të Superiores?
Së pari ndihem shumë i lumtur që jam pjesë e Tiranës, një klub kaq të madh si bardheblutë.
Ju kishit vite larg Shqipërisë. Përse zgjodhët të firmosnit për Tiranën dhe si është të kesh trajner një ish-shok skuadre dhe drejtor një ish-shok skuadre tjetër?
Pikësëpari, për trajnerin dihen vlerat që kur ka qenë kapiten te Skënderbeu. Atje ka qenë shembull për të gjithë ne. Edhe tani për trajnerin flasin vetë rezultatet që ka me Tiranën. Nuk kam çfarë të them. Përse zgjodha Tiranën? Mendoj se është një pyetje retorike, sepse Tirana nuk refuzohet. Bardheblutë janë skuadra më e madhe e historisë së futbollit shqiptar.
Ju ndatë rrugët shumë shpejt me Prishtinën dhe menjëherë firmosët me Tiranën dhe nisët fazën përgatitore?
Faza përgatitore ka shkuar shumë mirë. Ndihem në formë shumë të mirë sportive pas kësaj faze dhe shpresoj që çdo gjë të ecë mirë dhe të arrijmë objektivin që na ka vënë klubi për këto ndeshje europiane.