Skënderbeu ka prezantuar afrimin më të ri në merkato, sulmuesin Ngisah Bismark, i cili ka ardhur ditën e djeshme në ekip së bashku me një tjetër lojtar të mbërritur në Juglindje. Bëhet fjalë për mbrojtësin e krahut të djathtë, Jozef Zhunjor Asante, i cili do të testohet fillimisht nga Memelli para se të firmosë kontratë prej profesionisti te Skënderbeu.

Të dy lojtarët, si Bismark, ashtu edhe Asante, janë prezantuar nga drejtori i klubit, Ilirjan Përmeti, i cili ka theksuar firmën në kontratë të sulmuesit që më herët ka luajtur dhe për Kievon, por që kërkohej edhe nga Vllaznia. Bismark, nga ana e tij, një njohje e vjetër e Soue, i referohet këtij të fundit kur fliste për Skënderbeun dhe Shqipërinë, madje kjo e bëri që të pranonte ofertën e korçarëve pa hezituar.

Në rrëfimin ekskluziv të dhënë për “Panorama Sport”, Bismark nuk premton shifra konkrete golash dhe nuk do të cilësohet si pasuesi i Souesë, por kërkon të lërë shenjën e tij te Skënderbeu.


Bismark, jeni zyrtarisht lojtari i Skënderbeut. Çfarë ju bindi të vinit këtu?

Atëherë mund të them se jam i lumtur për këtë prezantim të sotëm te ky klub. Dua të them se më kanë kontaktuar agjentët e mi duke më prezantuar fillimisht klubin, për të cilin më thanë se është interesuar për mua. Kur pashë rezultatet e viteve të fundit, nuk u mendova dy herë, por e pashë si një aventurë që më shkonte përshtat dhe mund të nxjerr në pah vlerat e mia.


Po thoni se pranuat menjëherë të ishit pjesë e Skënderbeut?

Po, sigurisht. Ju e dini që më herët këtu ka qenë një ishshoku im i ekipit te Kievo, Ali Soue. Dhe pse jo, edhe unë mund të bëj të njëjtën gjë siç bëri ai. Të gjithë këtë më kanë këshilluar, se mund të jetë klubi i duhur nëse dua të rihyj në tregun e lojtarëve.


Kjo do të thotë se keni ardhur të bëni të njëjtën gjë si Soue te Skënderbeu?

Jo, nuk dua të kopjoj askënd, thjesht dua të tregoj veten time. Sigurisht, aventura e Souesë te Skënderbeu ishte një shtytje më shumë, pasi është një mik i mirë për mua. Por unë dua të shkruaj historinë time në këtë klub.


Para se të vendosnit të vinit këtu, keni folur me Souenë?

Jo, sinqerisht jo, nuk kam folur. Nuk ka qenë e nevojshme, pasi e kam parë se çfarë ka arritur të bëjë ai te Skënderbeu dhe mjaftoi kaq.


Më herët keni qenë pranë kalimit te Vllaznia. Çfarë dështoi te ky transferim?

Po, është e vërtetë, ekzaktësisht kështu. Kisha një akord me klubin shkodran, por problemi qëndronte te pasaporta ime. Kisha pasaportën drejt fundit dhe në bazë të rregullave të shtetit shqiptar, nuk mund të hyja dot këtu nëse nuk kisha më shumë se 90 ditë vlefshmëri të pasaportës sime. Kërkova mirëkuptimin e tyre për të pritur derisa të dilte pasaporta e re. Kisha vlefshmëri të pasaportës edhe për 88 ditë. Për dy ditë është djegur gjithçka. Ata nuk pranuan të më prisnin, nuk u treguan të duruar.


Skënderbeu u tregua më i duruar?

Po, në këtë pjesë po. U tregua më i duruar dhe më profesional. Më thanë që të vijoja procedurat me qetësi dhe në momentin që gjithçka do të ishte gati, do të vija këtu.

Çfarë mund të japë Bismark te Skënderbeu?

Nuk e di, nuk mund ta them. Nuk dua të flas për numra. Do të shohim në fund të sezonit se çfarë mund të kem bërë. Por e rëndësishme është që jam i gatshëm të jap edhe shpirtin për këtë klub.

Në Shqipëri veç Souesë ka luajtur dhe Ekuban. Vinin nga Kievo dhe sot luajnë në nivele të larta. Jeni gati për të ndjekur të njëjtën rrugë?

Është diçka që më jep shumë shpresë. E them këtë pasi ne kemi një shprehje që unë i qëndroj besnik: “Nuk ka dy pa tre…”. Kështu që fati është i parashkruar.