Të enjten e 21-korrikut, në orën 21:00, në stadiumin “Loro Boriçi” në qytetin e Shkodrës, do të zhvillohet ndeshja e parë e Conference League ndërmjet ekipeve të Vllaznisë dhe Universitatea Kraiovës, në kuadër të turit të dytë.
Kështu, për këtë ndeshje, Policia e Shkodrës ka planifikuar mënyrën se si do të ruajë rendin në përballjen mes Vllaznisë dhe Kraiovës. Për të parandaluar incidentet e ndryshme, Policia do të marrë masa me bllokim rrugësh për një kohë të caktuar dhe do të ushtrohen kontrolle fizike para hyrjes në stadium.
Të paktën, kjo është ajo që bëhet me dije për “Shkodra Sport”, teksa një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga shefi i sigurisë në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës, z. Behar Kraja. Kjo gjë vjen duke vlerësuar rëndësinë e kësaj ndeshje ndërkombëtare, si edhe interesimin e shumtë të tifozërisë vendase, për të qenë të pranishëm në stadium.
Këto masa synojnë garantimin e rendit dhe qetësisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes. Poashtu, do të bëhet edhe kontrolli fizik i të gjithë personave që janë pajisur me biletë para hyrjes në stadium për moslejimin e futjes në stadium të sendeve dhe materialeve të ndryshme të paligjshme.
Pak orë më parë, KF Vllaznia njoftoi tifozët dhe sportdashësit e saj që kanë blerë bileta, se portat për të hyrë në stadium do të hapen që në orën 18:00, për shkak të kontrollit të thelluar që do të ushtrohet nga Policia e Shkodrës dhe kompania e security.
Për të shmangur konfuzionin në portat e hyrjes për në stadium, Policia e Shkodrës dhe KF Vllaznia kërkon mirëkuptimin e tifozëve që të mos e lënë për në minutat e fundit futjen për në stadium. Ashtu si gjithmonë, nuk do të lejohet asnjë person që të hyjë në stadium me fishekzjarre, flakadanë, sende të forta, sende metalike, monedha apo çelësa, banderola që janë të ndaluara etj.
Gjithashtu, do ketë kufizime lëvizje dhe bllokim të qarkullimit në disa akse rrugore të brendshme të qytetit të Shkodrës. Ditën e nesërme, pritet që Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër të bëjë me dije oraret dhe rrugët që do kufizohen apo do bllokohet qarkullimi i automjeteve dhe të masave të tjera të sigurisë.
Maringlen ZHIVANI