Shkruar nga Endri ÇINARI
Prej disa javësh tashmë është zyrtar lajmi se merkato e Vllaznisë për muajin janar apo edhe në verë do jetë e bllokuar. Kjo si shkak i disa mos pagesave dhe detyrimeve që 9 herë kampionët e vendit kanë në drejtim të disa ish-futbollistëve në sezonet e shkuara. Ku fillimisht ishte Juriç, ai i cili fitoi gjyqin në FIFA me shkodranët, të cilët më pas kompensuan mbrojtësin kroat dhe kjo çështje u mbyll me sukses mes dy palëve. Por, sërish “telashet” nuk janë të mbyllura 100% për Vllazninë.
Kjo pasi kuqeblutë kanë ende edhe 4 procese të tjera gjyqësore për të ndjekur për të njëjtën arsye. Ku futbollistë të ndryshëm kanë fituar të drejtën për t’u dëmshpërblyer nga ana e klubit shkodran. Dhe momentalisht emrat e futbollistëve nuk bëhen të ditur, teksa gazeta ka mësuar në rrugë jo zyrtare se dy prej tyre janë Stojanoviç dhe Kahrimanoviç. Por, pavarësisht kësaj situate, duket se gjithçka po kalohet me qetësi tek Vllaznia dhe duket se ka optimizëm për zhbllokimin e merkatos.
Me shkodranët të cilët duket se kanë përgatitur çeqet për futbollistët ndaj të cilëve ka aktualisht borxhe dhe gjyqe të humbura në FIFA. Prandaj deri në startin e merkatos dimërore , që nis në datën 1 janar, shpresat janë që gjithçka të zgjidhet me sukses. Ku tek Vllaznia janë shumë optimistë për zhbllokimin e merkatos që këtë dimër, kjo për të larguar edhe çdo problematikë që nuk shoqërohet me fushën e lojës në rradhët e shkodranëve. E po ashtu për të pasur mundësi për të përforcuar skuadrën me elementë edhe më cilësorë në janar drejt objektivit të titullit kampion.


