Vasil Shkurtaj në “radarin” e klubit të Partizanit. U duk se merkato në repartin e ofensivës do të mbyllej me Xhuliano Skukën, por drejtuesit e kuq kanë punuar në fshehtësi për të sjellë një emër “big” në organikën e trajnerit Dritan Mehmeti. Burime të besueshme tregojnë për Newsport.al që prej ditësh palët kanë nisur bisedimet.
Mungesa e një sulmuesi “pykë” ka bërë që drejtuesit t’i besojnë aftësive të shtatlartit i cili ka shkëlqyer në Superiore me Kukësin duke realizuar plot 22 gola në sezonin 2019-2020. Duhet thënë që ka një marrëveshje në distancë, mirëpo ende s’është gjetur dakordësia përfundimtare për të hedhur të “zezën mbi të bardhë”. Ngërçi qëndron në aspektin financiar, por kjo pritet të zgjidhet në ditët e ardhshme.
Për këtë Newsport.al kontaktoi vetë futbollistin, i cili shkurtimisht pranoi bisedimet me klubin e Partizanit. “Po, është e vërtetë që Partizani ka shfaqur interes për mua”, tha ai shkurtimisht duke treguar se të kuqtë janë në sulm për shërbimet e tij.
Tashmë pritet të shihet se si do të përfundojnë këto tratativa. Një afrim i Shkurtajt do të ishte “bomba” e Partizanit në këtë merkato dimri, lojtari kyç që u mungon prej disa sezonesh në repartin e sulmit.
29-vjeçari është aktivizuar për tre sezone në Shqipëri, përkatësisht në edicionet 2017-2019 me Luftëtarin dhe më tej me Kukësin, ekip me të cilin u shpall golashënuesi i elitës. Më parë ka luajtur në kampionatin grek, ndërsa prej 1 viti u transferua te Jiangxi në Kinë./newsport/