Grupi F i Ligës së Kampioneve ka qenë i pari që ka ulur siparin për këtë edicion të turneut duke treguar verdiktet përfundimtare të tij. Në ndeshjet e fundit, Borusia Dortmund dhe Lacio kanë prerë biletën për në fazën tjetër, përkatësisht si e para dhe e dyta në këtë grup.
Skuadra e Borusias u desh të përmbyste golin e Driusit në fushën e Zenit duke siguruar tre pikët dhe vendin e parë falë golave të Pishçzhek dhe Vitsel në fraksionin e dytë të kësaj ndeshje.
Ndërsa Lacio është kualifikuar mes drithërimave pasi përballë belgëve të Klub Bryzh nuk ka bërë më shumë se barazim 2-2, duke rrezikuar në fund edhe që të pësonte golin që do ta nxirrte jashtë turneut, e shpëtuar nga traversa. Me barazimin, ekipi italian mbajti vendin e dytë duke lënë dy pikë prapa pikërisht belgët të cilët duhet të kënaqen me pjesëmarrjen në Ligën e Europës në vijimin e sezonit.
NDESHJET
Lacio-Klub Bryzh 2-2
12’ Korrea, 27’ (p) Imobile / 15’ Vormer, 76’ Vanaken
Zenit-Borusia Dortmund 1-2
16’ Driusi / 68’ Pishçzhek, 78’ Vitsel