Një skandal u regjistrua në ndeshjen e djeshme të Kosovës ndaj Malit të Zi, e vlefshme për grupin A të kualifikueseve të Euro 2020. Trajneri Ljubisha Tumbakoviç, zëvendës trajneri dhe dy futbollistë serbë,  nën kërcënim nga qarqe të ultrasve në Beograd, por edhe arsye politike, nuk pranuan të ishin prezent në sfidën ndaj Dardanëve.

Në këtë formë, malazezet në sfidën e mbrëmshme u drejtuan nga asistentët Miodrag Gjugjobiç dhe Dragoje Lekoviç.

Megjithatë, Federata e Malit të Zi ka marrë vendimin për të shkarkuar nga detyra trajnerin, i cili nuk pranoi të drejtonte skuadrën në një ndeshje të rëndësishme, me arsyetimin se ka braktisur dhe ka dhunuar detyrimin ndaj profesionit, duke mos respektuar as detyrimet kontraktuale.

Ndërkaq, është marrë vendimi se edhe për ndeshjen e ardhshme të Malit të Zi ndaj Republikës Çeke, skuadra të drejtohet nga dyshja e asistentëve.

Sakaq, ndeshja përfundoi me rezultatin 1-1, ndërsa Kosova e cila kaloi e para në avantazh shpërdoroi mundësitë për të shënuar golin e dytë, teksa më pas u ndëshkuan nga Mali i Zi./vipSport/