Gjyqtari ekuadorian Roddy Zambrano reagoi mes polemikave në gjysmëfinale të Kupës së Amerikës mes Argjentinës dhe Brazilit. Gati një javë nga ai takim, gjyqtari 41-vjeçar ka folur për herë të parë për vendimet e marra prej tij.
“Në lidhje me penalltinë që nuk i dhashë Otamendi, VAR me komunikoi se është një situatë 50-50 dhe se nuk ishte një penallti neto”, tha gjyqtari gjatë një interviste radiofonike në vendlindjen e tij.
Sipas Zambrano, ai komunikoi me sallën VAR ku ishte gjyqtari Leodan Gonzalez, që i tha të vazhdonte lojën. Ndërsa në lidhje me kontaktin mes Dani Alves dhe Sergio Aguero, gjyqtari ekuadorian shtoi: “Përse të mos pozicionojnë edhe një kamera që filmon lojën nga pas? Ishte një faull në dëm të mbrojtësit, ndaj nuk dhashë penallti”.
“Nuk kam patur kurrë më parë probleme me Messin. Ndaj, mbeta shumë i habitur nga deklarata e tij. Gjithsesi, çdo futbollist ka të drejtën e tij të shprehë atë që mendon”, përfundoi ndër të tjera gjyqtari kur u pyet për akuzat e Messit.