Goleada me të cilën Brazili ka shkatërruar Perunë ka ribashkuar publikun brazilian me skuadrën e Tite-s dhe i ka dhuruar një idhull të ri tifozëve të “Seleçaos”. Bëhet fjalë për Everton, i njohur me pseudonimin “Cebolinha”, i përzgjedhur nga shtypi dhe tifozët si imazhi i fitores bindëse falë së cilës Brazili ka siguruar kalimin në çerekfinalet e Kupës së Amerikës.
Ndikimi i sulmuesit të krahut në manovrën dhe efikasitetin e repartit sulmues ka qenë i jashtëzakonshëm, aq sa ka shtyrë disa gazetarë të flasin për lindjen e një ylli të ri te Brazilit. Ka nga ata që sigurojnë se ai është zëvendësuesi perfekt i Neymar, ndërsa shokët e skuadrës nuk i kanë kursyer komplimentet. Për Filipe Luis “është një lojtar që bën diferencën dhe zhvendos ekuilibrat. Ka ardhur padyshim momenti që të shkojë në Europë”.
Shifrat flasin qartë: sulmuesi 23-vjeçar i Gremios është aktivizuar në 10 minutat e fundit të ndeshjes kundër Bolivisë, por i kanë mjaftuar 4 për të shënuar golin e tij të parë më kombëtaren (para atij takimi, ai kishte luajtur vetëm 6 ndeshje miqësore me “Seleçaon”); nuk ka shënuar në ndeshjen e dytë kundër Venezuelës, edhe pse ka qenë një nga më të mirët në fushë; ka gjetur përsëri golin kundër Perusë (dhe çfarë goli!) në ndeshjen e tij të parë si titullar.
“Krijon hapësira për shokët e skuadrës, merr gjithmonë vendimin e duhur. Është një lojtar që bën diferencën”, ka thënë Filipe Luis. Nuk ka asnjë dyshim as Willian, i bindur se Everton “është ajo për të cilën Seleçao ka nevojë në këtë moment”. Për Tite-n, “ai ka cilësitë dhe entuziazmin e duhur për të qenë pjesë e grupit. Nëse luan, kjo ndodh sepse e meriton”.
Sondazhet ë bëra n ë Brazil e japin si titullar të palëvizshëm, me përqindje më të larta se çdo shok tjetër të sulmit, nga Coutinho te Firmino dhe Gabriel Jesus. E sigurt është se me atë në fushë, Brazili ka marrë gjithmonë duartrokitjet e publikuat dhe, ndoshta është një rastësi, në ndeshjen e vetme të luajtur nga ai si titullar, ka ardhur edhe paraqitja më e mirë e pesë herë kampionëve të botës.
Duket se Milan-i ka pasur të drejtë kur e ka vënë në shënjestër Everton-in, para se Leonardo të largohej për t’u kthyer në Paris. Vlera e tij, që më parë ishte 40 milionë euro, rrezikon të rritet ndjeshëm pas Kupës së Amerikës. Kërkesa e Gremio-së sot është e përafërt me 80 milionë euro, shifra e përfshirë në klauzolën për prishjen e kontratës.
Nga Anglia thuhet se Manchester United, që është interesuar për të para disa muajsh, do të hidhet në sulm për të siguruar shërbimet e tij. Sigurisht, ekipi që do të kërkojë të vërë duart mbi yllin e ri të Brazilit do të duhet të jetë i gatshëm të paguajë një shumë të çmendur. /telesport/