Pasi Lionel Messi akuzoi se “Copa America” është e korruptuar, se organizatorët po bëjnë gjithçka që të fitojë Brazili, trajneri i
Selecao, Tite, i është kundërpërgjigjur yllit të Barcelonës. Ai ka thënë se Leo duhet të tregojë më shumë respekt dhe ta pranojë humbjen.
Brazili fitoi “Copa America” e parë, që nga viti 2007, pasi mundi 3-1 Perunë në finale. “Lojtari që unë e trajtova si të jashtëzakonshëm, si
jashtëtokësor, duhet të ketë më shumë respekt dhe të pranojë humbjen, -tha Tite për Messin, pas ndeshjes. -Ne ishim dëmtuar nga gjyqtarët në
disa ndeshje. Luajtëm mirë dhe të ekuilibruar kundër Argjentinës, gjatë gjithë kohës. Unë jam i sinqertë, Messi ka presion të madh për shkak
të reputacionit të tij”.
Ndërkohë që ishte i pakënaqur me sjelljen e Messit, Tite pranoi që kapiteni argjentinas nuk duhej të ishte dëbuar me karton të kuq kundër
Kilit, pas përplasjes me Gary Medel: “Ai u përjashtua nga loja në mënyrë të padrejtë. Ishte Medel shkaktari i gjithçkaje. Për Messin duhej
një karton i verdhë, maksimumi”.
Mesfushori i Brazilit, Casemiro, u pyet gjithashtu për akuzat e Messit, duke i hedhur poshtë komentet e argjentinasve: “Ata që kanë gojë flasin atë që duan. Nuk është radha ime për të folur. Është një çështje delikate”.
Dani Alves, i cili u votua si lojtar i turneut, ishte plot falënderime për trajnerin e Selecao: “Kapiteni i anijes tonë është Tite. Urime për
ne dhe për popullin tonë. E përgëzoj stafin. Të luash në “Maracana” është gjithmonë shumë e veçantë. Ky stadium është shtëpia jonë”.
Alves, gjithashtu, foli për Messin, duke u thënë gazetarëve: “Nuk jam dakord me atë që tha Messi, ne kemi punuar shumë për të qenë kampionë.
Kemi djersitur shumë. Mund ta kuptoj se Messi është i mërzitur, por nuk pajtohem me atë që tha. Kemi punuar shumë për ta marrë këtë trofe”.