Trajneri i sapokthyer te Vllaznia, Thomas Brdariç, të paktën deri në fund të këtij sezoni do ta vazhdojë punën me stafin që ka aktualisht. Ai nuk do të ketë këtë herë në Shkodër “krahun e djathtë” të tij, Matko Djarmatin.

Ish-drejtori sportiv i Vllaznisë pritej të merrte detyrën e zëvendëstrajnerit në stafin e Brdariç, por kjo nuk do të ndodhë dhe trajneri aktual do të vazhdojë me të njëjtin staf që kishte në ndeshjen e parë në Rrogozhinë. Në rolin e ndihmëstrajnerit të Vllaznisë është afruar trajneri i skuadrës U-21, Ergi Borshi, ndërkohë që plotësojnë stafin dyshja Shtubina-Lekiqi.

Drejtuesit e klubit në fakt duket se janë të përqendruar vetëm tek e tashmja, sepse për të ardhmen ka kohë. Brdariç me siguri nuk ka ardhur në Shkodër vetëm për të mbyllur këtë kampionat, por me një projekt konkret disavjeçar. Megjithatë, shumë gjëra varen nga mënyra si do ta përfundojë sezonin Vllaznia.

DJARMATI – Kur vendosi të kthehej në krye të Vllaznisë disa ditë më parë, Thomas Brdariç, sipas burimeve të “Panorama Sport”, kërkoi që të kishte pranë Matko Djarmatin, ashtu si në aventurën e parë kuqeblu. Këtë herë jo si drejtor sportiv, sepse këtë pozicion aktualisht e mban Tefik Osmani, por si ndihmëstrajner. Dhe drejtuesit e klubit shkodran mësohet se janë përpjekur t’ia plotësojnë kërkesën trajnerit dhe janë takuar me kroatin, por nuk kanë gjetur gjuhën e përbashkët për një bashkëpunim të dytë.

Nuk bëhet e ditur, nëse arsyet janë të aspektit financiar, apo teknik. Fakt është se Brdariç ka mbetur “vetëm” në Shkodër. Ndoshta ky fakt mund të ketë ndikim edhe tek ardhmja e trajnerit, që e donte patjetër Matko Djarmatin te Vllaznia. Të dy kanë qenë së bashku edhe në Indi kohët e fundit.