Sot, Vllaznia do jetë vizitore në javën e 33-të të Superiores. Shkodranët do jenë përballë Egnatias, ku rrogozhinasit vetëm para 3 ditësh i eleminuan në gjysmëfinalet e kupës. Eliminim që solli shkarkimin e trajnerit, Qatip Osmani. E tashmë në krye të shkodranëve është rikthyer një emër mjaft i dashur në Shkodër, Tomas Bërdariç.

Gjermani kthehet në Shkodër pas një eksperience para 3 sezonesh, ku me kuqeblutë arriti të fitonte një kupë të Shqipërisë. Duke e rikthyer kështu Vllazninë tek një trofe pas 13 vitesh “thatësirë”. Kurioziteti për të parë “Bërdariç 2” është me të vërtetë i madh. Pavarësisht se ish-mesfushori ka vetëm 2 ditë në drejtimin e ekipit.

Por, gjithsesi priten ndryshime në skuadër, duke nisur ndoshta që nga skema. Ekipi ka luajtur me një skemë 3-5-2 në fillimin e sezonit me Memellin, gjithçka ndryshoi me ardhjen në stol të Osmanit. Tetovari solli skemën tip të 4-3-3 me të cilën korri suksese të njëpasnjëshme. E po ashtu Bërdaric ka treguar se ka preferencat e tij përsa i përket rreshtimit të skuadrës.

Në aventurën e tij të parë tek Vllaznia, Bërdaric ka preferuar shpesh skemën 3-4-1-2 apo edhe atë 3-4-3. Duke prezantuar një ekip sulmues dhe plot fantazi. Diçka të tillë pritet ta shprehë sërish me 9 herë kampionët e vendit. Dhe prandaj kurioziteti për ta parë që nga ndeshja e parë kundër Egnatias është me të vërtetë e madhe mes tifozëve shkodranë.