Briken Çalja ia ka dalë përsëri të marrë medalje në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, për të dytin vit radhazi duke përfaqësuar mëse denjësisht ngjyrat kuqezi me medalje të artë në peshën deri në 71 kilogramë.
Peshëngritësi 29-vjeçar ka qenë dominues në stilin e shkëputjes, duke marrë medaljen e artë duke qenë kështu pretendent kryesor për të përsëritur suksesin e vitit të kaluar.
Çalja kaloi me sukses provën e parë 152 kilogramë, me shumë lehtësi duke vënë trysni ndaj atyre që rivalizonin me të dhe deshën ta ulnin nga froni. Edhe prova e dytë ishte e realizuar me lehtësi, në peshën 156 kilogramë duke e renditur të parin përsëri dhe duke bërë që të gjithë të tjerët të provonin pesha të njëjta a më të larta për ta kaluar.
Por askush nuk ia doli dhe Çalja shkoi në provën e tretë më sigurinë e medaljes së artë në këtë stil, duke provuar të thyente rekordin Europian me peshën 160 kilogramë të cilën nuk e realizoi dot. /vipsport/