Për ndeshjen e së dielës ndaj Teutës, trajneri i Vllaznisë Artan Bushati ka ndër mend të aktivizojë disa futbollistë të rinj. Lajmi konfirmohet nga burime pranë skuadrës shkodrane. Në fakt edhe gjatë stërvitjes së sotme, ai për disa minuta ka zhvilluar një ndeshje kontrolli ku janë parë edhe ndryshimet e mundshme për ndeshjen e së dielës. Në portë do jetë sërish Gjokoviç, në mbrojtje do luajnë po ato futbollistë që ishin titullarë edhe në Peqin, pra Smajli, Beqiri, Belisha dhe Marku. Në mesfushë ndërkohë në krahasim me ndeshjen e mëparshme, pritet të ketë dy ndryshime.

Përkrah Tafilit do jetë këtë herë jo Nallbani por Kruja ndërsa në krahun e djathtë në vend të Dragoit të penalizuar me kartona, do të luajë Shtubina. Në të majtin si zakonisht do jetë Hajdari. Para mesfushës, në rolin e sulmuesit të dytë do jetë Bardulla ndërsa në vijën e parë këtë herë nuk do jetë kosovari Rexha por Gjini. Këto pra janë ndryshimet e pritshme tek Vllaznia për ndeshjen me Teutën. Në pamje të parë të krijohet përshtypja se forca e skuadrës do bjerë ngaqë nuk do luajnë disa prej titullarëve por ndoshta mund të jetë edhe e kundërta. Lojtarët e rinj që do aktivizohen, do kërkojnë të bëjnë më të mirën në fushë për të bindur stafin drejtues dhe mbase prej kësaj do përfitojë edhe skuadra për të marrë një rezultat pozitiv.
Gjergj KOLA