Ndonëse pritej që punimet në stadiumin “Loro Boriçi” të nisnin që këtë fundjavë, kjo nuk ka ndodhur. Inagurimi I punimeve nuk është bërë dhe në Shkodër nuk ka mbërritur as kryeministri Rama dhe as zëvendësi I tij Peleshi siç u tha. Por nga ana tjetër paraditen e së enjtes kanë qenë të pranishëm në ambjentet e stadiumit një grup inxhinierësh të firmës që do merret me punimet në stadium. Të shoqëruar nga përfaqësues të klubit Vllaznia, ata kanë vëzhguar si ambjentet e brendshme dhe ashtu edhe ato të jashtme të stadiumit, duke parë nga afër se çfarë punimesh do bëhen dhe ku duhet ndërhyrë më parë.

Sipas këtyre inxhinierëve, punimet në “Loro Boriçi” do të nisin në fillimin e javës së ardhshme megjithatë mbetet për t’u parë nëse do të ndodhë kështu apo jo. Gjatë inspektimit të sotëm, ata kanë verifikuar çdo gjë. Natyrisht tashmë nuk ka më dilema për nisjen e punimeve sepse çdo gjë është gati. Takimi I së shtunës Vllaznia- Flamurtari do të jetë I fundit që kuqeblutë do të zhvillojnë në këtë stadium sepse më pas ai do të mbyllet. Do të bëhet shembja e tribunës qendrore dhe nisja e ndërtimit të saj, ashtu si dhe e tribunës nga ana jugore ndërkohë që do të ndërhyhet edhe në dy tribunat e tjera për të rregulluar infrastrukturën e tyre dhe të ambjenteve të jashtme. Po ashtu, do të ndërhyhet tek fusha sepse do vihet tapeti I ri, do të vihet sistem I ri ndriçimi dhe njëkohësisht në fund edhe pista e tartanit. Sipas inxhinierëve që kanë qenë sot në Shkodër, “Loro Boriçi” mund të përfundojë deri në tetor, kuptohet duke punuar me orare të zgjatura dhe me Serbinë mund të luhet pikërisht në këtë stadium.

© shkodrasport.com