Ekipi I Vllaznisë në basketboll për meshkuj nga dita e sotme është grumbulluar në Ulqin për t’u përgatitur atje për ndeshjen e rradhës me Kamza Basket. Ka ndodhur kështu sepse basketbollistët shkodranë nuk kanë ku të stërviten për shkak se pallati I sportit “Qazim Dervishi” është I zënë me Memorialin e boksit. Ndërkohë, e reja më e fundit që ka të bëjë me ekipin e Vllaznisë ka të bëjë me faktin se presidentin Sokol Dibra ka ofruar pranë stafit edhe një trajner malazez. Ai do të punojë bashkë me trajnerin Bledar Gjeçaj dhe të dy sëbashku do të bashkëpunojnë për të bërë më të mirën në mënyrë që skuadra të kalojë fillimisht në finale dhe më pas të fitojë edhe ndaj Tiranës dhe të shpallet sërish kampione e vendit. Nga ana tjetër, ditën e sotme ka lindur një tjetër problem. Klubi Vllaznia I ka bërë një kërkesë Federatës Shqiptare të Basketbollit për ta shtyrë ndeshjen e tretë me Kamza Basket për të dielën ngaqë deri të shtunën pallati I sportit I Shkodrës është I zënë me aktivitetin e boksit. Por kjo kërkesë, duket se nuk është pranuar nga ana e ekipit të Kamzës e kjo gjë e ka vënë në dilemë dhe Federatën që ende nuk ka vendosur se ku do të luhet ky takim. Kuptohet që Kamza kërkon të përfitojë nga ky fakt ndonëse klubi Vllaznia e ka lajmëruar prej shumë kohësh Federatën që në datat 16- 18 prill, pallati I sportit “Qazim Dervishi” do të jetë I zënë. Pritet që paraditen e së premtes të mësohet edhe vendi I zhvillimit të ndeshjes, nëse do të luhet të dielën në Shkodër apo të shtunën në njërin nga tre qytetet, në Tiranë, Durrës apo Ulqin.

Gjergj KOLA