Trajneri i Vllaznisë Artan Bushati është i bindur se bashkë me presidentin Çela dhe me futbollistët që ka patur në dispozion, ka bërë më të mirën në fazën e dytë të kampionatit që lamë pas. “E morëm skuadrën me shumë probleme, pa lojtarë, na u larguan edhe 2-3 të tjerë dhe kjo e kushtëzoi paraqitjen e Vllaznisë në fazën e dytë. Për këtë arsye, duhet të kënaqemi me vendin e gjashtë sepse mund të kishim qenë edhe në pozita të tjera, ashtu siç mund të kishim qenë edhe më lart në renditje. Megjithatë tashmë duhet të fillojmë të mendojmë për të ardhmen sepse publiku shkodran pret shumë nga Vllaznia dhe skuadra për sezonin e ardhshëm sigurisht që do ketë një objektiv të vetëm: tre vendet e para në renditje”.

Tekniku kuqeblu në një rrëfim të gjatë në konferencën për shtyp të pasdites së sotme, ka folur edhe për elementin e ri teksa ka konsideruar si futbollistë të fituar në këtë fazë të dytë Bardullën dhe Krujën. Madje për këtë të fundit ka mendimin se duhej ta kishte aktivizuar më shumë. Stërvitja e kuqebluve do nisë më 1 korrik dhe objektivi është që deri në atë datë skuadra të plotësohet me lojtarët e duhur. Do tentohet mbajtja e Vujadinoviç dhe Dragoit ndërkohë që Bushati ka lënë të kuptohet se faza përgatitore do të zhvillohet në Austri këtë verë.
www.shkodrasport.com