Trajneri I Vllaznisë Artan Bushati në proncimin e tij të djeshëm, ka folur edhe për merkaton. Sigurisht duke u ndalur fillimisht tek çështja e tre futbollistëve të shumëpërfolur ditët e fundit, atë të Smajlit, Dragoit dhe Vujadinoviçit. “Ana financiare mbulohet nga presidenti megjithatë unë kam qenë pjesë  e bisedave sepse ekipi I ardhshëm natyrisht që do ndërtohet sipas shijeve të mia. Prandaj dhe kam kërkuar që Smajli, Vujadinoviç e Dragoi të jenë pjesë e skuadrës edhe për sezonin e ardhshëm. Të tre këtyre futbollistëve, u është bërë oferta konkrete nga ana e presidentit dhe këtë s’mund ta mohojë askush. Lojtarët parimisht kanë rënë dakord por dihet që me mbarimin e kontratave ata janë të lirë të zgjedhin skuadrën e tyre të re.

Nëse Smajli ka ikur në Vlorë, kjo ka qenë zgjedhja e tij ndoshta financiare por kurrsesi s’mund të thuhet se nuk ka patur ofertë nga Vllaznia. Ai gjithsesi ka ikur tashmë por po tentojmë të mbajmë Vujadinoviç e Dragoin. Unë jam në kontakt me to, oferta u është bërë dhe shpresojmë t’I përgjigjen pozitivisht”- ka thënë ai. Presidenti Çela një ditë më parë ka bërë të ditur se do ketë 3-4 blerje shumë cilësore. I pyetur në lidhje me këtë gjë dhe se ku do gjenden këto lojtarë, trajneri I Vllaznisë është përgjigjur: “Në media çdo ditë e më shumë lexoj të shkruhet për merkato megjithatë nuk po shoh ende asnjë lëvizje me përjashtim të Flamurtarit që ka marrë Smajlin. është herët për të folur për këtë gjë sepse dihet që futbollistët deri një apo dy javë para fillimit të stërvitjeve, shohin ofertat dhe më pas vendosin. Ne do tentojmë të gjejmë lojtarët e duhur deri atëherë”.

 

www.shkodrasport.com