Suksesi i munguar me ekipin e të rriturve, është realizuar me atë të të rinjve të Vllaznisë. Basketbollistë e rinj të Vllaznisë janë shpallur sot pasdite kampionë të vendit për sezonin 2012-13. Ata kanë mundur në ndeshjen finale ekipin e Tiranës me një pikë epërsi, 51-50. Ndeshja është luajtur në sallën sportive “Fahirje Hoti” të kryeqytetit dhe është ndjekur me shumë interes nga shumë sportdashës. Kuptohet që favorite ishte skuadra vendase megjithatë shkodranët të drejtuar nga Roland Koka kanë bërë një paraqitje të shkëlqyer. Ata kanë luajtur si të barabartë dhe madje ndeshja ka qenë deri në fund e ekuilibruar.


Ka qenë Tirana në avantazh me një pikë por në sekondën e fundit të ndeshjes, një gjuajtje e saktë e Antonio Shabanit për dy pikë, është realizuar dhe ky dypikësh i ka dhëën fitoren Vllaznisë dhe njëkohësisht edhe titullin kampion. Një sukses ky i merituar i këtij ekipi që gjatë gjithë kampionatit ka dhuruar lojëra të bukura të kurorëzuara sot me sukses, me vendin e parë dhe titullin kampion.
wwww.shkodrasport.com