Ashtu si trajneri i Kombëtares A, Edi Reja, edhe tekniku i U21, Alban Bushi, ka nisur dërgimin e ftesave për të grumbulluar lojtarët për ndeshjen zyrtare të datës 15 tetor në “Elbasan Arena” ndaj Kosovës. Një ndeshje shumë e veçantë, pasi vë përballë për herë të parë në nivele kaq të lartë përfaqësueset e dy vende në ndeshje që nuk janë miqësore.

Kosova ka pasur një ecuri mbresëlënëse deri tani dhe e sheh veten në garë për vendet e larta në renditje, ndërsa paraqitja e Shqipërisë ka lënë shumë për të dëshiruar deri tani.

Sigurisht, në këtë listë nuk mund të mungonte Aristidi Kolaj, mesfushori i talentuar i cili ka qenë ndër të parët që ka marrë ftesën për këtë grumbullim. Lojtari i cili është në pronësi të Sasuolos, është huazuar te Pro Patria në Serinë C ku të luajë rregullisht dhe po gjen hapësira në radhët e kësaj skuadre.

Ka qenë vetë klubi i cili ka njoftuar për këtë ftesë të futbollistit i cili do të mungojë kësisoj në një nga ndeshjet e kampionatit për t’iu bashkuar Shpresave kuqezi nga data 7, deri më datë 16 tetor. Lojtari me origjine nga Bajza e Malesise se Madhe konsiderohet nje futbollist me mjaft perspektive dhe si i tille nuk mund t’i mungonte kombetares U21. /vipsport/