Duket vërtetë absurde, por ndo nëse po shkojmë drejt mesit të muajit mars, federatat sportive në vend ende nuk e kanë marrë buxhetin e tyre vjetor.

Një problem që tashmë po kthehet i përvitshëm në Shqipëri, ndërsa ministria “shfajësohet” me alibinë e mosplotësimit të formularit të pikëzimit nga ndonjë federatë e caktuar, duke djegur të gjitha federatat, edhe ato që kanë zbatuar të gjitha rregullat. Kjo gjë ka bërë që Shqipëria të paraqitet në evente ndërkombëtare, me sportistë që paguajnë para nga xhepi i tyre, edhe pse shkojnë për të përfaqësuar flamurin kombëtar.

Sahit Prizreni, ishkampion i madh i mundjes, aktualisht president i Federatës Shqiptare të Mundjes, ka ngritur zërin për këtë problematikë të jashtëzakonshme që po prek çdo vit komunitetin e sportit në vend.

“Ndodhemi në një situatë krejtësisht të papranueshme dhe skandaloze, për faktin që edhe sot buxheti vazhdon të jetë i bllokuar, si dhe nuk ka asnjë formacion as se kur mund të dalë.

Kemi bërë deri më tani dy aktivitete, ndërsa sot (dje) niset ekipi për në Europianin U-23, dhe po shkojmë me lekët e xhepit tonë, sikur po përfaqësojmë shtëpitë tona atje dhe jo Shqipërinë. Jemi në një situatë kaotike!”, shprehet i indinjuar Prizreni në prononcimin e tij për “Panorama Sport”.

MINISTRIA – I pyetur nëse FSHM ka pasur komunikim me ministrinë e sporteve për këtë problematikë, Prizreni thotë: “Kam komunikuar me anë të disa me sazheve me sekretarin e përgjithshëm para një jave, ku kam pyetur nëse ka ndonjë informacion rreth buxhetit, por shprehimisht më ka thënë që po presim urdhrin nga ministria e financave.

Pra, edhe vetë sekretari i përgjithshëm nuk ishte në dijeni se kur mund të lëvrohet fondi. Jemi në një situatë të turpshme. Që në fillim të dhjetorit i kemi nisur dokumentacionet që ministria ka kërkuar, me projekt-kalendarin dhe çështjen e pikëzimit, etj. Pra, i kanë të gjitha informacionet e duhura, por vazhdojmë të mbetemi në ajër.

Dua të theksoj se në të gjitha instancat shteti ka nisur vitin dhe punën normalisht, ndërsa sporti mbetet vrima e fundit e kavallit. Jemi komuniteti më i nënçmuar dhe më i lënë pas dore, në një kohë kur ky komunitet është ambasadori më i mirë për këtë vend.

Kur vjen puna të gjithë këta dalin lart e poshtë dhe mburren me sportin. Për mua kemi të bëjmë me një shtet të dështuar, duke nisur nga kryeministri dhe ministria. Jemi në mars dhe nuk duhet të harrojmë që ka një administratë që ha bukë në sajë të pagës mujore, siç kemi sekretarët dhe financierët, por këtu as nuk do që t’ia dijë njeri. Për mua shteti ka dështuar totalisht”, shprehet kreu i mundjes.

FEDERATAT – Në një situatë të tillë alarmante edhe një herë tjetër vihet re se federatat sportive në vendin tonë vazhdojnë të mos jenë të bashkuara, ku pjesa më e madhe kanë frikë të ngrenë zërin për të drejtat e tyre. Lidhur me këtë gjë, Sahit Prizreni deklaron: “Komuniteti i sportit lë shumë për dëshiruar për këtë pjesë, sepse dihet që jemi në një vend ku emërimet politike dhe urdhrat politikë bëjnë diferencën.

Një pjesë e madhe kanë frikë se humbasin vendin e punës nëse ngrenë zërin, por mua nuk më intereson fare kjo pjesë dhe nuk mund të hesht para një situate të tillë.

Është një turp i madh, pasi nga njëra anë shikojmë kryeministrin që del dhe thotë se ka dhënë 5 milionë euro për sportin, ndërsa ne kemi zero lekë. Në një kohë kur i gjithë buxheti i federatave është aq sa e ka buxhetin e sportin Klubi Tirana. Ndërsa, nëse bëjmë një krahasim me buxhetin e Kosovës, është 10-fish më i vogël”, përfundoi prononcimin e tij presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes.