Kundërshtarët e Partizanit, përveç përgatitjes së ndeshjes me të kuqtë, po mendojnë për kampionatin, por edhe për financat e klubit. Ditën e djeshme klubi nga Letonia ka zyrtarizuar një tjetër shitje, duke larguar një nga lojtarët kryesorë të ekipit.
Ivan Zhelizko nuk do të jetë pjesë e Valmierës në ndeshjen e ardhshme, pasi ai vetëm së fundmi ka mbyllur transferimin e tij te skuadra e Lekia Gdansk. Valmiera mbyll kështu një marrëveshje mjaft të leverdishme, duke arkëtuar 500 mijë euro nga shitja 22-vjeçarit ukrainas, që luan si mesfushor qendre.
Zhelizko iu bashkua Valmierës në vitin 2021 dhe pas një huazimi te Karvina, u kthye në Letoni, ku shkëlqeu në këtë sezon dhe arriti të sigurojë një transferim akoma më cilësor. Vlera e Zhelizkos në merkato është 600 mijë euro dhe ai ishte një nga më të shtrenjtët e skuadrës së tij. Zhelizko luajti në 19 ndeshje me Valmierën në këtë sezon, ku arriti të shënojë një gol dhe të dhurojë dy asiste.
Me këtë largim, i fituar del edhe Partizani, që sheh që kundërshtarëve t’i largohet një nga lojtarët kryesorë të ekipit. Ndërkohë, për t’u caktuar mbetet stadiumi dhe detajet e tjera të ndeshjes së 10 gushtit. Në verën e shkuar Valmiera gjeti përballë shqiptarët e Shkëndijës në raundin e dytë të Ligës së Konferencës dhe tetovarët arritën t’i fitojnë bindshëm të dyja sfidat.
Një avantazh kundrejt Partizanit për Valmierën është fakti se është në aktivitet në kampionat. Në Letoni janë luajtur 24 javë, ku kundërshtari i radhës i Partizanit renditet në vendin e tretë, shumë larg Rigës së vendit të parë.