Bylisi duket sikur po e merr shtuar. E megjithatë, e vërteta është krejt tjetër. Duke pasur një kontingjent prej 26 lojtarësh nën kontratë, e kanë luksin që të mos stërmundohen dhe marrin ç’u del përpara.
Në merkato kanë kohë që janë futur, por nuk kanë si qëllim që vetëm të shtojnë numrat në ekip. Duan kualitete dhe nga ata që të bëjnë diferencën mes të tjerëve. Është ky shkaku që nuk po nxitohen fort dhe ndoshta në limit do t’ia bëjnë “boom”.
Kërkimet i kanë nisur për një qendërmbrojtës, një mbrojtës majtas dhe ndonjë sulmues goli. Janë këto rolet që kanë me patjetër nevojë për ndërhyrje dhe nëse gjejnë të duhurit, atëherë do të jenë “top”.
Në Shqipëri vështirë se “peshkojnë”, pasi më të mirët janë të angazhuar tashmë. Ndaj “sytë” i kanë hedhur jashtë vendit. Gjatë kohësh që kanë nisur përgatitjet, klubi u ka mëshuar edhe miqësoreve. Dhe kanë zhvilluar ndeshje me plan.
Kundërshtarë kanë zgjedhur ekipe të Kategorisë së Parë, për t’i njohur më mirë. Kanë barazuar me Luzin e Flamurtarin dhe fituar me Lushnjën. Edhe pse rezultati nuk ka qenë parësor, duhet thënë që kanë bërë mirë.
Me golat në fakt, raporti nuk ka qenë fort i mirë. Vërtet krijojnë shumë, por shpërdorojnë. Do t’i jepet prioritet kësaj pjese, gjatë kohës së mbetur të fazës përgatitore.
Klubi do elitën, ndaj nuk duan që t’i lënë asgjë rastësisë. Fundjava që kaloi u mbyll me një test brenda grupit. Trajneri Febron Ziu dhe ndihmësi i tij argjentinas kanë qenë tejet kërkues. Ata jepnin këshilla për lëvizjen e lojtarëve në fushë, ndërsa kanë mbajtur edhe jo pak shënime për t’u diskutuar në analizën që do të kryhet këto ditë.