Pas Eridon Qardakut, Bylis firmos edhe me një tjetër futbollist shkodran. Bëhet fjalë për Aleksander Trumçin i cili e ka kaluar me sukses provën tek skuadra ballshiote dhe më pas ka firmosur për të.

I rritur tek KF Shkodra, në sezonin e kaluar ai luajti me Veleçikun në kategorinë e parë, ndërkohë që këtë verë tentoi një provë tek skuadra mallakastriote dhe i kanë mjaftuar pak ditë për të bindur stafin teknik dhe për rrjedhojë më pas ka ardhur firma në kontratë.

Ka qenë vetë futbollisti që përmes një statusi të shpërndarë në rrjetet sociale e ka shpërndarë këtë lajm që padiskutim është shumë i rëndësishëm për karrierën e tij.

“Zyrtarisht pjesë e ekipit FK Bylis. Falenderoj presidentin dhe krejt stafin e këtij ekipi për besimin që më dhuruan, falenderoj familjen që më përkrahu në çdo minutë të jetës time në futboll dhe jashtë saj. Falenderoj Akademinë Shkodra ku unë u rrita dhe ekipin e FK Veleçiku dhe stafin e tij për një vit të mrekullueshëm. Shpresoj të arrijmë objektivat që ekipi Bylisit ka dhe të jem kontribues për të. Forca Bylis”- shkruan Trumçi.

Për 20 vjeçarin firmosja e një kontrate me një ekip të Superligës padiskutim që është një sukses i madh dhe tashmë ai ka mundësinë më të mirë për të treguar vlerat e tij. Bashkë me Qardakun, Kukajn dhe lojtarët e tjerë të Bylisit, Trumçi do të mundohet të japë kontributin e tij më të mirë për këtë skuadër.
www.shkodrasport.com