Pasditën e sotme do të zhvillohen dy ndeshjet e fundit të javës së parë të edicionit të ri futbollistik 2022-2023 të Abissnet Superiore. Në orën 17:00 në stadiumin “Adush Muça” do të luhet takimi Bylis-Kastrioti.
Ballshiotët rikthehen në elitë pas një viti mungesë, teksa duan që të kenë një rol protagonisti këtë sezon, ndërsa krutanët e trajnerit Emiliano Çela do të provojnë të jenë sërish surpriza e këtij viti në Superiore.
Bylisi me trajnerin Arjan Bellaj në stol do të kërkojë që ta nisë me tri pikë ndaj Kastriotit në “Adush Muça”. Ndërkohë nga ana tjetër, edhe Kastrioti është gati për transfertën ndaj Bylisit. Skuadra e trajnerit Emiliano Çela do të nisë kampionatin nga Ballshi, aty ku do të kërkojë të dalë me tri pikë.
Kastrioti ka ruajtur pjesën dërrmuese të grupit të kaluar dhe kjo është një prej gjërave më pozitive, por gjithsesi është përforcuar në mbrojtje me shqiptarin nga Tuzi, Martin Prenkoçeviç dhe gjithashtu edhe serbin Milos Stojanoviç, i cili ka qenë pjesë e Bylisit deri një sezon më parë.
Sa i përket shkodranëve, në formacionin e sotshëm të Bylisit pritet të jenë tre shkodranë në formacionin e trajnerit Arjan Bellaj, duke nisur nga Trumçi, Preka dhe Qardaku. Ndërkohë nga ana tjetër, tek Kastrioti i vetmi shkodran që do të jetë në fushën e lojës, do të jetë Karakaçi, ndërsa Zogaj është një prodhim i dalë nga Akademia Vllaznia.
Ndeshja Bylis-Kastrioti do të luhet pasditën e sotme në orën 17:00 në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë në kanalet e platformës “OverSport”. /Maringlen ZHIVANI/
Bylis-Kastrioti, formacionet e mundshme
Bylis (4-4-2): Haremi, Trumçi, Preka, Damchevski, Lorran, Anthony, Ruçi, Maçolli, Qardaku, Kaçorri, Souza Tr: Arjan Bellaj
Kastrioti (4-2-3-1): Sali, Prenkoçeviç, Dida, A. Selmani, Rami, Karakaçi, Mehmeti, Greca, Kodra, Zogaj, Ajazi Tr: Emiliano Çela
Arbitër: Florjan Lata