Bylisi ka mbyllur ditën e djeshme përgatitjet për ndeshjen e sotme ndaj Partizanit në orën 13:00 në stadiumin “Adush Muça”.

Ballshiotët kërkojnë me patjetër fitoren në këtë sfidë, teksa në përballjet e fundit ndaj të kuqve kanë vuajtur vazhdimisht. Ndërkohë, trajnerit Naxhi Shensoji i është dashur të punojë me skuadrën në aspektin fizik, por edhe psikologjikisht.

Ajo që e shqetëson më shumë stafin teknik të Bylisit është fakti se do të kenë disa mungesa, më të dhimbshmet në linjën e djathtë të reparteve. Aleksandër Trumçi ka plotësuar numrin e katër kartonëve të verdhë, teksa Kamara, që është zëvendësuesi i tij, nuk është pjesë e skuadrës.

Një mungesë e rëndësishme për ballshiotët është edhe Damçevski, teksa Shensoi pritet të aktivizojë një mes Abazajt dhe Skënderajt. Ndërkohë, edhe Zguro ka pasur probleme fizike para kësaj sfide dhe nuk ka arritur të rikuperohet në kohë. Megjithatë, alternativat në linjën e majtë, ku luan korçari, nuk mungojnë dhe Loran e Muçollari janë gati për të zbritur në fushë nga minuta e parë.

Ndërkohë, në ofensivë mungojnë dy lojtarë shumë të rëndësishëm. Bëhet fjalë për Bejin dhe Souzan, teksa alternativa në këtë rast janë Kaçorri e Qardaku. Doi, gjithashtu është ambientuar shumë mirë dhe është gati të zbresë në fushë. I gatshëm për këtë ndeshje nuk do të jetë as Xhoel Maçolli, që është titullar absolut dhe ka qenë një shtyllë për ballshiotët deri në këtë periudhë të sezonit.