Suksesi i djeshëm i Vllaznisë përballë Tiranës në shifrat 1-0 në javën e 21-të të Superiores ka rihapur totalisht garën për titullin kampion.
Shkodranët me fitoren kundër kampionëve në fuqi të vendit tashmë e kanë ngushtuar diferencën në vetëm 3 pikë me vendin e parë. Pozicion që mbahet pikërisht nga kryeqytetasit në kuotën e 37 pikëve.
E në ndjekje të tyre tashmë është Vllaznia, me 34 pikë në tabelën e klasifikimit. Deçiziv me golin e tij në këtë ndeshje ishte Herald Marku. Mesfushori si shpesh herë në këtë kampionat u tregua vendimtar për kuqeblutë, duke shënuar kështu golin e tij të 6-të në këtë edicion dhe duke qenë kështu golashënuesi më i mirë i shkodranëve deri më tani.
Mëngjërashi u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë, duke dhënë kështu pikët e plota për ekipin e Joses. Por ai gjithashtu në sezonet e fundit është shndërruar në makthin e Tiranës. Numri 21 i shënoi edhe në fazën e parë kryeqytetasve, po ashtu nga penalltia duke ndihmuar në fitoren e Vllaznisë në shifrat 1-2 në ‘Selman Stërmasi’.
Por gjithashtu, ish-futbollisiti i Partizanit ka realizuar një dopietë në sezonin 2020-21 kundër Tiranës në fitoren 3-2 të Vllaznisë në atë edicion në Shkodër.
Një ‘makth’ për skuadrën kryeqytetase, ndaj të cilëve duket se Marku ka prenë e preferuar duke i shënuar në vijmësi në vitet e fundit e duke ndihmuar edhe Vllazninë në arritjen e sukseseve përballë 26 herë kampionëve të vendit.
Endri ÇINARI