Skuadra mallakastriote është në kulmin e fazës përgatitore, por klubi nuk e lë aspak pas dore merkaton. Ballshiotët janë duke kërkuar lojtarë në çdo repart.

Presidenca mallakastriote është duke negociuar me shumë lojtarë, ndërsa bëhet fjalë për dy mbrojtës, dy mesfushorë dhe dy sulmues.

Ata do të vijnë nga tregu i huaj. Pas tri miqësoreve, mallakastriotët duket se kanë krijuar një ide më të qartë për gjendjen e skuadrës dhe momentin se ku ajo ndodhet, kur jemi në më pak se një muaj larg nga starti i garës.

Në Ballsh duket se kanë menduar që të hyjnë sa më të konsoliduar në garën e Superiores, ku struktura me dhjetë ekipe ka qenë jo pak problematike për faktin se konkurrenca dhe rivaliteti është shumë i madh, por edhe për faktin se mallakastriotët këtë sezon do të ndeshen me ekipe, që kanë qenë në elitë dhe që janë forcuar dukshëm.

MBROJTËSI – Së fundmi në ambientin e klubit ballshiot po lakohet emri i mbrojtësit Ditmir Beci. Ai ka eksperiencë në disa ekipe e mes tyre dallohen Tërbuni në Kategorinë e Parë dhe në Superiore apo dhe Burreli e Erzeni, ku luajti në sezonin e shkuar. 25-vjeçari është një lojtar që luan në linjën e djathtë të mbrojtjes.