Vllaznia-Kastrioti ishte një ndeshje jo siç pritej nga tifozët. Emocionet ishin të pakta dhe skuadra e Vllaznisë nuk ishte në formën e saj më të mirë. Një ndeshje kjo, ku tifozët shkodranë ndoshta prisnin shumë më shumë nga skuadra e tyre e zemrës.
I këtij mendimi është edhe Ersi Çaku, trajner i Akademisë Basania. Çaku u shpreh se askush nuk e priste një rezultat të tillë në Shkodër, teksa thekson se Vllaznia nuk ishte ajo e duhura në fushë.
“Realiteti është që ne nuk e prisnim një rezultat të tillë në Shkodër, gjithsesi për mendimin tim them që Vllaznia nuk ishte ajo e duhura në fushë. Skuadra nuk kishte qartësinë e duhur. U vu re që nuk kishte as anën psikologjike, për të dalë nga kjo situatë jo e mirë që po kalon.
Për mendimin tim, ndeshja me Kastriotin rëndon pak edhe pozitat për ndeshjen e kthimit që kemi me Partizanin. Sa më shumë të kalojë koha, sa më shumë që skuadra të marrë hapa fals, normalisht që ana psikologjike mund të jetë deçizive për objektivat e skuadrës.
Pavarësisht anës psikologjike që po kalon, kontigjenti i Vllaznisë mund të dalë nga situata. Janë po të njëjtët lojtarë që kanë bërë ndeshje shumë të mira, janë po ky ekip qe fillimisht u fut me pretendimin për të dalë me titullin kampion.
Gjithsesi, shpresoj shumë që Vllaznia të kthehet tek rezultatet pozitive, sepse i ka kualitetet e mundshme në fushë për të dalë nga kjo situatë”,-tha gjatë prononcimit të tij, trajneri i Akademisë Basania, Ersi Çaku.
Maringlen ZHIVANI