Armando Broja vazhdon të jetojë me pasigurinë rreth të ardhmes te klubi i Çelsit, Që prej fillimit të sezonit, emri i sulmuesit është përmendur vazhdimisht si i një prej lojtarëve që blutë londinezë janë gati të sakrifikojnë në merkato dhe me afrimin e janarit kjo hipotezë bëhet e mundshme.

Portali i njohur i futbollit londinez, “Football London”, i ka kushtuar një artikull largimeve që planifikon Çelsi në janar dhe mes emrave të mundshëm është edhe ai i Brojës.

“Që nga kthimi nga dëmtimi brutal i ligamentit në sezonin e kaluar, duke gjetur golin pas vetëm 19 minutash ndaj Fullhem, Armando Broja është kthyer në një aset të “nxehtë” në merkato. Futbollisti 22-vjeçar është një objektiv i vetë Fullhemit, ashtu si edhe Uest Hem që ka shprehur mjaft publikisht interesin për lojtarin.

Pavarësisht lëvdatave nga Mauricio Poçetino gjatë gjithë sezonit. Është e mundur që futbollist i kombëtares shqiptare të bëjë një lëvizje larg “Stamford Bridge”, me blutë që raportohet se i kanë vendosur një çmim prej 30 milionë paund kartonit të tij. Ndërsa Nikolas Xhekson është ende para tij në hierarki dhe me shumë njerëz që kërkojnë opsione më të njohura në sulm në dispozicion të Poçetinos, është e mundur që Broia të lëvizë, edhe pse jo për faj të tijin”, shkruan portal i njohur londinez.