Pas emocioneve të provuara mbrëmjen e së shtunës në ndeshjen e basketbollit Vllaznia- Kamza Basket, sportdashësit shkodranë do të kenë mundësi të provojnë të njëjtat emocione edhe në datat 19-21 dhjetor. Kjo ngaqë Federata Shqiptare e Basketbollit siç dihet ka vendosur që gjysmëfinalet dhe finalet e Kupës së Shqipërisë në basketboll si për meshkuj ashtu edhe për femra, do të luhen pikërisht në Shkodër. Kështu, më datë 19 do të zhvillohen gjysmëfinalet e meshkujve. Vllaznia do të luajë ndaj Apolonisë ndërsa ndeshja tjetër është Kamza Basket- Tirana. Një ditë më pas do luhen gjysmëfinalet e femrave. Edhe këtu Vllaznia është pjesmarrëse si një nga katër ekipet më të mira të vendit. Ajo do të ndeshet në gjysmëfinale ndaj Flamurtarit dhe ndonëse ka pak shanse për të kaluar në finale, vajzat shkodrane do të kërkojnë deri në fund arritjen e këtij objektivi. Emocionet e mëdha pritet të jenë më datë 21 dhjetor. E para do të jetë finalja e femrave por natyrisht që me shumë interes do të ndiqet finalja e meshkujve ku me shumë të ngjarë, Vllaznia do jetë prezente dhe do të kërkojë fitoren e këtij trofeu. Për ta bërë edhe më të bukur atmosferën në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, drejtuesit e klubit shumësportësh Vllaznia kanë menduar që në pushimin e ndeshjes të zhvillojnë një ceremoni shumë interesante. Atë të shpalljes së 10 sportistëve më të mirë të këtij klubi për vitin 2013. Kësisoj fundi i këtij muaji pritet të dhurojë shumë emocione në pallatin e sportit të qytetit të Shkodrës. Basketbolli ka bërë që e gjithë vëmendja e të gjithë sportdashësve të përqendrohet pikërisht aty.

© shkodrasport.com