Përveç basketbollit, edhe sporti i volejbollit në klubin shumësportësh Vllaznia, është duke bërë gjithçka mirë. Me ekipin e parë të meshkujve që ndodhet në vend të parë pas përfundimit të gjysmës së parë të sezonit, por edhe me ekipet e të rinjve dhe të rejave që e kanë mbyllur në vend të parë fazën e parë të kampionateve. Duket se gjithçka po shkon mirë me këtë sport. Tek ekipi i të rinjve që drejtohet nga trajneri Mirjam Rrahishta, ai ka zënë vendin e parë në grupin e tij duke qenë kësisoj një nga ekipet e kualifikuar për fazën e dytë të kampionatit që do të luftojë për titullin kampion. Pretendimet e këtij ekipi të tilla janë për t’u rikthyer sërish tek titulli kampion pas një periudhë shkëputje këto dy vitet e fundit. Në përbërje të tij ka shumë sportistë cilësorë dhe që premtojnë shumë për të ardhmen dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Por nëse për ekipin e të rinjve, nuk është suprizë vendi i parë, ai i femrave mbase bën pak përshtypje. Kjo ngaqë ka disa vite që një ekip i tillë nuk ka funksionuar pranë klubit Vllaznia por me caktimin e trajneres Alda Kaçorri në krye të tij, gjërat kanë shkuar mirë. Vajzat e këtij ekipi i kanë fituar të gjitha ndeshjet e fazës së parë të kampionatit duke qenë kështu në vend të parë dhe ka fituar të drejtën për të qenë në fazën finale të kampionatit bashkë me pesë ekipe të tjera. Edhe në këtë fazë, ekipi i të rejave të Vllaznisë sigurisht që ka objektivat e veta për ta ruajtur vendin e parë. Në këtë mënyrë, duket se në klubin Vllaznia kemi të bëjmë me një rilindje të të gjithë ekipeve të volejbollit, kjo edhe falë mbështetjes që po jep shefi i këtij klubi, Mark Kroqi, një ish- volejbollist i njohur i saj vite më parë.

© shkodrasport.com